Shfaqja e përbotshme e Hz. Muhammedit (a.s), si mëshirë dhe lehtësim për njerëzimin!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili e fisnikëroi njeriun si krijesën më të përzgjedhur, për hatrin e të cilit dërgoi mbi 120 mijë të dërguar gjatë historisë së njerëzimit, shpalli katër Libra hyjnorë e përtej tyre, fletushka dhe udhëzime të shumta, si e si, NJERIU të jetonte në harmoni me natyrën dhe udhëzimin hyjnor, deri në ditën e fundit.

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë e në çdo ditë të jetës sonë, Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dëtgua mëshirë për mbarë krijesat e botët!

 

Të dashur besimtarë,

Ajeti i dytë, në këtë cikël dyjavor hytbesh, ka një specifikë tjetër, ku përshkruhen detaje të dërgesës së Hz. Muhammedit (a.s), për të cilin, All-llahu i Madhëruar thotë: “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet dhe vështirësitë tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i butë (i ndijshëm) dhe i mëshirshëm për besimtarët”[1]

Në komentimin e këtij ajeti, ndër të tjera mësojmë, se: “Këto dy ajete (128-129 të sures Et-Teube), janë dy ajetet e Kur’anit, më të afërta me qiellin”[2], pra, ndër ajetet e fundit për nga shpallja. Si të thuash, Zoti i gjithësisë përzgjodhi që ndër ajetet e fundit të Kur’anit në shpallje, është edhe dëshmia e madhështisë së Hz. Muhammedit (a.s)!

Nga ana tjetër, lajmëroi botërisht pastërtinë e Hz. Muhammedit (a.s), si Ma i Miri ndër të mirë, brez pas brezi. Për këtë thoshte (a.s): “All-llahu përzgjodhi Kinanen nga bijtë e Ismailit. Përzgjodhi Kurejshët nga Kinane. Përzgjodhi nga Kurejshët, beni Hashimët. Më përzgjodhi mua nga beni Hashimët!”[3]

Poashtu, All-llahu (xh.sh) e cilësoi zotërinë e bijve të Ademit, me dy cilësi të larta: “i butë” (i ndijshëm) dhe “i mëshirshëm”. Për këtë, Imam Kurtubiu sjell në tefsirin e tij një shënim interesant nga El-Husejn ibnul-Fadl, që thoshte: [All-llahu i Madhëruar nuk i ka bashkuar asnjë të dërguari prej të dërguarve të Tij, dy emra prej emrave të Tij, përveç Hz. Muhammedit (a.s), i cili është: “i butë dhe i mëshirshëm për besimtarët”[4], ndërkohë që thotë (në Kur’an): “S’ka dyshim se All-llahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve”[5]][6]

Pra, shfaqja e përbotshme e Hz. Muhammedit (a.s) ishte në vetvete mëshirë dhe lehtësim për mbarë njerëzimin! Sepse feja e tij është fé e lehtësimit, fé e tolerancës, fé e drejtësisë, fé e humanizmit, fé e pastërtisë, fé e ndershmërisë, fé e ekuilibrave të garantuar dhe fé që nuk njeh deformim e skadencë!

Ne do shkojmë, si të parët tanë, por Islami do të jetë, sa të jetë jeta! Ku është sot, H. Muhamed Bekteshi? Ku është H. Adem Kazazi? Ku është Sheh Qazim Hoxha? Ku është H. Ymer Bakalli? Ku është H. Musa Dërguti? Ku është H. Ibrahim Repishti? Ku janë hoxhallarët e panumërt e të nderuar të qytetarisë shkodrane të shekujve që shkuan? Kanë vdekur, kanë shkuar! Por, Islami ka mbetur! Edhe unë do të vdes! Edhe ju do të shkoni një ditë! Por, Islami do të mbetet e do të pasohet e përqafohet nga brezat e ardhshëm, deri në fund të jetës mbi tokë!

Të nderuar besimtarë,

Hz. Muhammedi (a.s), thoshte: “Shembulli im dhe shembulli juaj është si puna e një personi që ka ndezur një zjarr, në të cilin fluturat dhe karkalecat vijnë e hidhen në të, ndërsa ai i largon me dorë që mos të bien në të. Edhe unë mundohem t’ ju largoj nga zjarri e ju më ikni nga duart[7]

Thoshte (a.s): “Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet dhe kush nuk fal nuk falet[8] dhe porosiste: “Kush e beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le t’i bëjë mirë komshiut të tij dhe kush beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le të nderojë mikun e tij dhe kush beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le të flasi mirë ose të heshti[9]

Udhëzimi i tij ishte: “Më i miri ndër ju është ai që nuk e lë botën e ardhshme për këtë botë, as botën e tij për botën e ardhshme dhe ai që nuk bëhet i bezdisshëm për njerëzit.”[10] Pra, një jetë e ekuilibruar, jo sharrim pas pasurisë e miradive të kësaj bote, pa besim, moral e dinjitet! As kalim i ditës nëpër xhami, parazit pa punë, pa shkollë, pa prespektivë, pa mendim e lodhje për të ardhmen! Islami është edukim për ruajtjen e ekuilibrave në jetë!

Këshillonte njerëzit, duke u thënë: “I lumi ai që ruan gjuhën (gojën) e tij, i mjafton shtëpia e tij dhe qan për gabimin e tij!”[11] sikurse thoshte, se: “Nuk më ka besuar mua, kush fle i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur dhe ai e di[12]

Ja, pse filozofi, historiani dhe shkrimtari i shquar amerikan Will Durant[13] në librin e tij “Historia e civilizimit” ka shkruar se: “Nëse e madhërojmë njeriun për çka bërë dhe çka u ka sjellë njerëzve, mund të themi se Muhammedi (a.s) ka qenë më i madhi i të mëdhenjve të historisë, se ai lartësoi gjendjen shpirtërore e mirësjelljen e një populli të një vendi të prapambetur…[14]

Të dashurit e mi,

Jam i vetëdijshëm, se nuk mjafton një hytbe xhumaje a disa ligjërata në vazhdimësi për të zbërthyer si duhet këto mësime kur’anore dhe udhëzime hyjnore në hak të madhështisë së Hz. Muhammedit (a.s), mësime dhe udhëzime që po i vendos sot para duarve tuaja, për të shërbyer si mundësi meditimi dhe reflektimi, në fillim të këtij muaji të begatë, ku mbarë bota islame përtërit në vetvete, përkujtimin e Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), jo si një datë që ngjall debate e huti në mesin e muslimanëve, por si një stacion, prej ku, gjithësecili prej nesh angazhohet për ta parë e jetuar ndryshe botën e tij!

Sepse, ne jemi një ymet i gjallë, që nuk i takon të neglizhojë vetveten dhe të devijojë nga udhëzimi i Ma të Mirit e Ma të Dashtunit (a.s), udhëzim që e bëri botën të përjetojë paqen, sigurinë, mirëqenien, përparimin, qytetërimin, civilizimin dhe vlerat më të larta të dhembshurisë, tolerancës dhe respektit ndaj NJERIUT, si krijesë e fisnikëruar nga Zoti i gjithësisë dhe mëkëmbës i Tij në tokë!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 9 dhjetor 2016

(Hytbeja e mbajtur më 9 dhjetor 2016 në xhaminë “Ebu Bekër”, në Fushë Çelë)

[1] Kur’ani, Et-Teube: 128.

[2] Imam Kurtubiu, “El-xhamiu li ahkamil-Kur’an”, botimi i dytë, Kajro, 1996, vëll. i 8-të, f. 279.

[3] Transmetuar nga Muslimi, nga Vathilete ibnul-Eskaa (r.a).

[4] Kur’ani, Et-Teube: 128.

[5] Kur’ani, El-Bekare: 143.

[6] Imam Kurtubiu, “El-xhamiu li ahkamil-Kur’an”, botimi i dytë, Kajro, 1996, vëll. i 8-të, f. 281.

[7] Transmetuar nga Ahmedi dhe Muslimi,  nga Xhabiri (r.a).

[8] Transmetuar nga Ahmedi, nga Xheriri (r.a).

[9] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, Ahmedi, Nesaiu etj., nga Ebu Hurejra (r.a).

[10] Transmetuar nga Khatibi, nga Enesi (r.a).

[11] Transmetuar nga Tabaraniu dhe Ebu Nuajmi, nga Thoubani (r.a).

[12] Transmetuar nga Bezzari dhe Tabaraniu,  nga Enesi (r.a).

[13] Will Durant (1885-1981), autori i veprës voluminoze: “Historia e civilizimit”. Për më shumë të shihet: https://it.wikipedia.org/wiki/Will_Durant

[14] Vehbi Sulejman Gavoçi, “Mirësjellja Islame”, Shkodër, 1998, f. 210.