“Morali i tij ishte…” (1)

Dhjetë hadithet e përzgjedhura të kësaj dite, përshkruajnë personalitetin e Resulull-llahut (a.s); adhurimin e tij, sjelljen e tij, këshillat drejtuar bashkëkohasve të tij, pëlqimet dhe mospëlqimet etj.

Si të thuash, nëpërmjet këtyre haditheve të shkurtra, ju ftoj të ndjejmë së bashku praninë e Resulull-llahut (a.s) në mesin tonë dhe, të shohim nëpërmjet këtyre transmetimeve cilësi dhe tipare të karakterit të tij, sjelljes, emocioneve dhe fisnikërisë, me të cilat, Zoti i gjithësisë e përzgjodhi të ishte Ma i Miri dhe Ma i Shtrenjti!

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “Morali i tij ishte…”, “Kur…” etj.

1. [Kur dërgonte ndonjërin prej shokëve të tij në ndonjë dërgesë (thirrjeje islame), i thoshte: “Jepni sihariq dhe mos i largoni njerëzit, lehtësoni dhe mos vështirësoni!”] – (Hadithi nr. 6612, f. 411. Ebu Davudi (dhe Muslimi, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 5, f. 137), nga Ebu Musa).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Dmth, lehtësoni çështjet e fesë dhe mos i vështirësoni. Mos i largoni njerëzit me vështirësime…] – (vëll. 5, f. 136).

2. “Kur i vinte ndonjë lajm që e gëzonte, binte në sexhde në shenjë falënderimi ndaj All-llahut” – (Hadithi nr. 6634, f. 412. Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Bekrete).

3. [Kur vizitonte ndonjë të sëmurë, i thoshte: “Të kaluara, pastrim inshallah!”] – (Hadithi nr. 6677, f. 415. Bukhariu, nga Ibn Abbasi).

4. “Kur lutej, i ngrinte duart dhe pastaj fërkonte fytyrën me dy duart e tij!” – (Hadithi nr. 6685, f. 415. Ebu Davudi, nga Burejde).

5. “Kur ngjitej në minber, i jepte selam të pranishëmve!” – (Hadithi nr. 6735, f. 418. Ibn Maxheh, nga Xhabiri).

6. “Morali i tij ishte Kur’ani!” – (Hadithi nr. 6831, f. 423. Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Nana e jonë Aishe).

7. “Nuk e linte namazin e natës (kijamul-lejl) dhe, kur ishte i sëmurë a i lodhur, falej i ulur!” – (Hadithi nr. 6885, f. 426. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Nana e jonë Aishe).

8. “Nuk e zgjaste vasin, ditën e xhuma!” – (Hadithi nr. 6902, f. 427. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Xhabir ibn Semura).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Dmth, në hytbe, që mos të mërziteshin dëgjuesit….] – (vëll. 5, f. 227).

9. “E nderonte (axhën e tij) Abbasin, siç nderon fëmija babën e tij!” – (Hadithi nr. 6987, f. 431. Hakimi, nga Ibn Abbasi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Dhe thoshte (a.s): “Axha i njeriut është i njëjtë me babën e tij!”] – (vëll. 5, f. 249).

10. “I bënte dhikër All-llahut të Madhëruar në të gjitha gjendjet e tij!” – (Hadithi nr. 7026, f. 433. Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Nana e jonë Aishe).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [“I bënte dhikër All-llahut të Madhëruar”, dmth, me zemrën e tij dhe me gjuhën e tij, nëpërmjet dhikreve të përhershme, si tesbihu (thënia: Subhanall-llah), tehlili (thënia: La ilahe il-lall-llah), tekbiri (thënia: All-llahu ekber) e të tjera dhikre.] – (vëll. 5, f. 259).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 8 janar 2017