“Çdo…”

Ditën e sotme, dua të ndalem tek dhjetë hadithe, që përbëjnë në vetvete një nxitje tëmadhe që bën Resulull-llahu (a.s) nëpërmjet tyre që muslimani të ketë një prirje pozitive në jetë, qoftë në marrëdhëniet e tij me muslimanin, si njeri, qoftë me veprat e ndryshme sociale, si bamirësi e të ngjashme, qoftë në raportet e tij me jetën si vlerë që duhet shfrytëzuar për ta ndërtuar me fjalën dhe udhëzimin e Zotit, jo për ta shkatërruar atë!

Këto hadithe përkufizojnë më së miri prirjet e individit musliman në jetën e përditshme, sikurse tërheqin vëmendjen e tij drejt lartësimit në shkallët e përkushtimit, nëpërmjet veshjes me këto cilësi dhe karakteristika të përzgjedhura në fjalët e Resulull-llahut (a.s).

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “Çdo…”, ose: “Të gjithë…” dhe: “Krejt…”.

1. “Çdo musliman është haram për muslimanin; pasuria e tij, nderi i tij dhe gjaku i tij! I mjafton e keqe muslimanit të urrejë vëllanë e tij (musliman)!” – (Hadithi nr. 6277, f. 391. Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).

2. “Krejt ymmeti im do të hyjë në xhennet, përveç atij që refuzon! Ai që më bindet mua do të hyjë në xhennet, ndërsa ai që më kundërshton ka refuzuar!” – (Hadithi nr. 6280, f. 391. Bukhariu, nga Ebu Hurejra).

3. “Çdo njeri do të qëndrojë nën hijen e sadekasë së tij, derisa të kryejë gjykimi i njerëzve (në ditën e gjykimit)!” – (Hadithi nr. 6282, f. 391. Ahmedi dhe Hakimi, nga Ukbe ibn Amir).

4. “Të gjithë bijtë e Ademit janë të gabueshëm dhe më të mirët në mesin e gabuesve, janë ata që pendohen!” – (Hadithi nr. 6292, f. 392. Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Enesi).

5. “Krejt gjymtyrët e trupit, që janë zhvilluar nga harami, kanë më përparësi të ndëshkohen (në ditën e gjykimit)!” – (Hadithi nr. 6296, f. 392. Tabaraniu dhe Ebu Nuajmi, nga Ebu Bekri).

6. “Çdo hap që hedh ndonjëri prej jush drejt namazit, i shkruhen dhjetë të mira dhe i fshihen dhjetë të këqija!” – (Hadithi nr. 6299, f. 392. Ahmedi, nga Ebu Hurejra).

7. “Çdo gjynah mund ta falë All-llahu, përveç atij që vdes në shirk dhe atij që vret një besimtar me dashje!” – (Hadithi nr. 6304, f. 393. Ebu Davudi, nga Ebu Derda. Ahmedi, Nesaiu dhe Hakimi, nga Muavije).

8. “Çdo pije që të deh është e ndaluar (haram)!” – (Hadithi nr. 6313, f. 393. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi etj., nga Nana e jonë Aishe).

9. “Çdo vepër fisnike është sadeka!” – (Hadithi nr. 6351, f. 395. Ahmedi dhe Bukhariu, nga Xhabiri. Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Hudhejfe).

10. “Krejt ju jeni përgjegjës dhe secili prej jush do të pyetet për atë që ka në përgjegjësinë e tij! Prijësi është përgjegjës dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Burri është përgjegjës në familjen e tij dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Gruaja është përgjegjëse në shtëpinë e burrit të saj dhe do të pyetet për përgjegjësinë e saj! Shërbëtori është përgjegjës në pasurinë e zotërisë së tij dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Njeriu është përgjegjës për pasurinë e babait të tij dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Krejt ju jeni përgjegjës dhe secili prej jush do të pyetet për atë që ka në përgjegjësinë e tij!” – (Hadithi nr. 6370, f. 396. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Ibn Omeri).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 janar 2017