“Ne jemi të All-llahut…”

E lexova diku në shkrimet e urtësisë arabe këtë shënim: “Ne jemi të All-llahut, drejt Tij rrugëtojmë, tek Ai është kthimi ynë!”…

Më pëlqeu ta ndaj me ju, duke ndarë njëkohësisht bindjen përherë e më të palëkundur se, në këtë rrugë të shenjtë të shërbimeve ndaj Thirrjes Islame, nuk ka sharje e fyerje, pabesi e kërcënim, që lëkund vullnetin e shërbimeve me përkushtimin më të madh ndaj të vërtetave të shenjta!

Me fjalë të tjera, ka shumë nevojë që herë pas here, situatë pas situate, sfidë pas sfide e sprovë pas sprove, njeriu t’ia kujtojë vetes hadithin e Resulull-llahut (a.s): “Ai që thotë: E kam pranuar All-llahun si Zot, Islamin si fé dhe Muhammedin (a.s) si të dërguar të All-llahut, e ka hak xhennetin!”.

Pas kësaj dëshmie, jeta dhe vdekja, në rrugën e përhapjes së Udhëzimit drejt Teuhidit, Dritës Islame e Dashnisë së Hakut, shkrihen në një dhe kthehen në një forcë bekuese, që të tërheq përherë e më shumë drejt Shërbimit, me shumë dashuri, paqe e kurajo që s’e lëkund asgjë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 14 janar 2017