
Dhjetë hadithet e kësaj dite kanë një specifikë, ndryshe nga të tjerët, sepse nisin me një shprehje, që nënkupton një tërheqje të vëmendjes së dëgjuesit, pas së cilit ka një vendim të pakontestueshëm a një shpjegim të urtë nga fjalët e Resulull-llahut (a.s).
Hadithet e përzgjedhura të kësaj dite, (që në përmbledhjen e Imam Sujutit janë të shumta), përbëjnë në vetvete thirrje të drejtëpërdrejta për t’u distancuar nga disa veprime, për t’u kapur pas disa të tjerave, për të kuptuar disa e për të respektuar disa të tjera.
Hadithet e kësaj dite, rrezatojnë njëkohësisht mëshirën dhe butësinë e Resulull-llahut (a.s) ndaj njerëzimit dhe ymmetit të tij. Ato janë argumente të forta për thirrësit islamë, që ta ndërtojnë thirrjen e tyre mbi bazat e mëshirës, pastërtisë, butësisë, lehtësimit dhe humanizmit.
Ato ngelen burime udhëzimi dhe orientimi në komunikimin e muslimanit me muslimanin, me jomuslimanin, me njeriun në përgjithësi dhe vetë jetën!
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
Transmetimet e kësaj dite, nisin me shprehjen: “Sikur…”.
1. “Sikur banorët e qiellit dhe ato të tokës të bashkëpunonin në gjakun e një besimtari, do t’i ndëshkonte All-llahu në zjarr!” – (Hadithi nr. 7407, f. 454. Tirmidhiu, nga Ebu Saidi dhe Ebu Hurejra).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Shkak i këtij hadithi, siç transmetohet në “El-Mu’xhem” të Tabaraniut, nga Ebu Saidi, është se dikush u vra në kohën e Resulull-llahut (a.s). Ai hipi në minber dhe pyeti: “A e dini se kush e ka vrarë?” Thanë: “Jo, pasha All-llahun!” – Tha: “Pasha Atë, që shpirtin e Muhammedit e ka në dorën e Tij, sikur banorët e qiellit…”] – (vëll. 5, f. 374).
2. “Sikur një person të kishte ca dirhemë në posedim të tij, duke i ndarë (sadeka), ndërsa një tjetër po i bënte dhikër All-llahut; ai që po i bënte dhikër All-llahut do të ishte më i mirë!” – (Hadithi nr. 7412, f. 454. Tabaraniu, nga Ebu Musa).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Ky është një tekst i qartë në lidhje me preferimin e dhikrit ndaj sadekasë.., edhe pse disa të tjerë mendojnë të kundërtën, bazuar në argumente të tjera.” – (vëll. 5, f. 375).
3. “Sikur ndonjë gjë të ishte shërim për vdekjen, do të ishte bima e senasë!” – (Hadithi nr. 7414, f. 454. Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Esma bnit Umejs).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Senaja është një bimë në Gadishullin Arabik.., që forcon zemrën. Kjo është një veçori fisnike e saj, sikurse ka edhe dobi të tjera të mëdha.” – (vëll. 5, f. 375)
Pas këtij shënimi, Imam Mennavi thekson: “Të gjithë transmetuesit e kanë vendosur këtë hadith te kapitulli i Mjeksësisë”, që në vetvete, shpjegon edhe arsyen se pse muslimanët janë interesuar që në shekujt e parë të Thirrjes së Hz. Muhammedit (a.s), rreth 15 shekuj më parë, për mjekësinë dhe krejt dituritë me larminë e tyre, për të cilat kanë lënë gjurmët e tyre të spikatura në historinë e njerëzimit. Vall-llahu alem! -M.S.-
4. “Sikur ju të ishit në çdo gjendje tuajën, ashtu siç jeni në praninë time, do ju kishin shtrënguar duart melekët me duart e tyre dhe do ju kishin vizituar në shtëpitë tuaja! Dhe, sikur të mos bënit gabime, do të sillte All-llahu një popull tjetër që do gabonte dhe do i falte!” – (Hadithi nr. 7418, f. 455. Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).
5. “Sikur ju të gabonit, derisa gabimet tuaja të mbërrinin në qiell, pastaj të pendoheshit para duarve të All-llahut, All-llahu do ta pranonte pendimin tuaj!” – (Hadithi nr. 7422, f. 455. Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
6. “Sikur të kishte i biri i Ademit (njeriu) një luginë me pasuri, do të kërkonte një të dytë! Sikur të kishte dy lugina me pasuri, do të kërkonte një të tretë! Dhe, asgjë se mbush barkun e birit të Ademit, përveç dheut!” – (Hadithi nr. 7476, f. 458. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Enesi. Etj.).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, njeriu vazhdon të ketë ambicie në jetën e tij, derisa të vdesë dhe të mbushet barku i tij nga dheu i varrit…”. – (vëll. 5, f. 397).
7. “Sikur të ishte musliman dhe të lironit një frymë për të, të jepnit sadeka për të a të kryenit haxhin për të, do t’i mbërrinte sevapi i tyre!” – (Hadithi nr. 7479, f. 458. Ebu Davudi, nga Ibn Amri).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, nëse i vdekuri do të ishte musliman dhe do t’i vepronit këto mirësi për të, do t’i mbërrinte sevapi i tyre…”. – (vëll. 5, f. 398).
8. “Sikur të mos bënit gjynahe, do të sillte All-llahu një popull tjetër që do bënte gjynahe dhe Ai do t’i falte!” – (Hadithi nr. 7487, f. 459. Ahmedi, nga Ibn Abbasi).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, (do të sillte një popull që do bënin gjynahe), pastaj do të kërkonin falje të penduar…”. – (vëll. 5, f. 401).
9. “Sikur të mos ia vështirësoja ymmetit tim, do t’i urdhëroja për çdo namaz abdes dhe për çdo abdes misvak (pastrim të dhëmbëve dhe gojës)!” – (Hadithi nr. 7509, f. 460. Ahmedi dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra).
10. “Sikur të mos ishte dobësia e të dobtëve dhe sëmundja e të sëmurëve, do ta vonoja kohën e namazit të errësirës (jacisë)!” – (Hadithi nr. 7522, f. 461. Tabaraniu, nga Ibn Abbasi).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, namazi i jacisë. Këtu ka argument se falja e namazit të jacisë në fillim të kohës së vet, është më mirë dhe, se nuk pëlqehet vonimi i tij deri në një të tretën e natës, sepse kështu ka vepruar në vazhdimësi Resulull-llahu (a.s) dhe Hulefai-Rashidinët pas tij…”. – (vëll. 5, f. 401).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 janar 2017