
Dhjetë hadithet e ditës së sotme janë porosi të urta të shpërndara në tema dhe kuptime, që nuk kanë një bosht të përbashkët, (si hadithet e ditëve që kaluan), por që kanë një emërues të përbashkët: ruajtjen e një fryme përsosmërie në marrëdhëniet e muslimanit me fenë e tij dhe më pas me vetë shoqërinë dhe jetën.
Janë hadithe që ftojnë drejt distancimit nga arroganca në jetë, veshjes me përsosmërinë e mirësjelljes islame, ruajtjen e moralit, korrektësinë në adhurim, ruajtjen e besës etj.
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
1. “Arroganca dhe imitimi i saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin! Njerëzit me Islamin më të mirë, janë ata që kanë mirësjelljen më të përsosur” – (Hadithi nr. 2082, f. 128. Ahmedi, Ebu Ja’la dhe Tabaraniu, nga Xhabir ibn Semura).
2. “Besimtari arrin me mirësjelljen e tij, gradën e atij që falet në këmbë dhe atij që agjëron!” – (Hadithi nr. 2098, f. 129. Ebu Davudi dhe Ibn Hibbani, nga Nana e jonë Aishe).
3. “Gruaja është krijuar nga brinja dhe, nëse ti merr ta drejtosh brinjën, e thyen atë! Prandaj, sillu me butësi me të që të jetosh me të!” – (Hadithi nr. 2112, f. 129. Ahmedi, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Semura).
4. “Kur muslimani e viziton vëllanë e tij (të sëmurë), do të vazhdojë të ecë në rrugët e xhennetit, derisa të kthehet!” – (Hadithi nr. 2117, f. 130. Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Thoubani).
5. “Kur njerëzit ta shohin zullumqarin dhe mos ta ndalojnë nga padrejtësia e tij, mund të përfshihen nga ndëshkimi i All-llahut!” – (Hadithi nr. 2136, f. 130. Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Bekri).
6. “Prej formave më të përsosura të respektit, është edhe ruajtja e miqësive të prindit, pasi ai të ketë vdekur!” – (Hadithi nr. 2158, f. 131. Ahmedi, Bukhariu në “El-Edeb”, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Ibn Omeri).
7. “Kur të ngrihet ndonjëri prej jush për t’u falur, ta dijë se po i lutet All-llahut! Prandaj, le të shohë veten sesi i lutet Atij!” – (Hadithi nr. 2180, f. 133. Hakimi, nga Ebu Hurejra).
8. “Njeriu që më së shumti do të pendohet në ditën e gjykimit është një person që ka shitur fenë e tij për botën e dikujt tjetër!” – (Hadithi nr. 2201, f. 133. Bukhariu në “Et-Tarikh”, nga Ebu Umame).
9. “Do të ketë në prag të kiametit gënjeshtarë! Ruhuni prej tyre!” – (Hadithi nr. 2256, f. 137. Ahmedi dhe Muslimi, nga Xhabir ibn Semura).
10. “Ruajtja e besës është prej besimit!” – (Hadithi nr. 2264, f. 137. Hakimi, nga Nana e jonë Aishe).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 22 janar 2017