“Përhapeni selamin në mes jush..!”

Hadithet e kësaj dite përqendrohen në disa tematika, që lidhen me përvetësimin dhe përhapjen e së mirës në jetën e përditshme, duke nisur me dhënien e selamit, që është një përshëndetje paqësore globale, lutjen për falje e shpëtim, respektin ndaj prindit, vlerësimin e dijes dhe përhapjen e saj në shoqëri etj.

Këto dhjetë hadithe lexohen me shumë kënaqësi dhe besoj se secili e gjen veten të mundshëm diku për të bërë mirë, për të menduar mirë, për të mbjellë të mirën në shoqëri dhe për të forcuar pozitat e saj në shoqëri.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

1. “Njeriu që më së shumti ka të drejta ndaj gruas, është burri i saj! Njeriu që më së shumti ka të drejta ndaj burrit, është nëna e tij!” – (Hadithi nr. 1186, f. 76. Hakimi, nga Nana e jonë Aishe).

2. “Përhapeni selamin, të paqtoheni!” – (Hadithi nr. 1227, f. 78. Bukhariu në “El-Edeb”, Ebu Nuajmi, Ibn Hibbani dhe Bejhekiu, nga El-Berra).

3. “Përhapeni selamin në mes jush, të duheni!” – (Hadithi nr. 1228, f. 78. Hakimi, nga Ebu Musa).

4. “Përhapeni selamin, ushqeni me ushqim dhe jetoni si vëllezër, ashtu si ju ka urdhëruar All-llahu!” – (Hadithi nr. 1222, f. 79. Ibn Maxheh, nga Ibn Omeri).

5. “Puna më e pëlqyer është namazi në kohën e tij dhe respekti ndaj prindërve!” – (Hadithi nr. 1223, f. 79. Muslimi, nga Ibn Mesudi).

6. “Pjesa më e pëlqyer e besimit është durimi dhe toleranca!” – (Hadithi nr. 1244, f. 79. Dejlemiu, nga Akil ibn Jesar, si dhe Bukhariu në “Et-Tarikh”, nga Umejr El-Lejthi).

7. “Duaja më e pëlqyer është t’i lutesh Zotit tënd për faljen dhe shpëtimin në këtë botë dhe në të përtejmen! Sepse, nëse të jepen këto dy lutje në këtë botë, pastaj edhe në të përtejmen, ti ke triumfuar!” – (Hadithi nr. 1251, f. 79. Ahmedi, Henadi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Enesi).

8. “Sadekaja më e pëlqyer është të mësojë njeriu një dije, pastaj t’ia mësojë atë vëllasë së tij musliman!” – (Hadithi nr. 1262, f. 80. Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).

9. “Sadekaja më e pëlqyer është të ngopësh një frymë të uritur!” – (Hadithi nr. 1267, f. 80. Bejhekiu, nga Enesi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Vlera e përgjithësimit përfshin të gjitha llojet e krijesave, besimtarin dhe jobesimtarin në besë, atë që flet dhe atë që nuk flet. Ndërsa me ngopje përfshin të gjitha llojet e bamirësisë, si dhënia e ujit etj, prej nevojave të nevojtarit!” – (vëll. 2, f. 50).

10. “Adhuruesit me gradët më të larta tek All-llahu në ditën e kiametit, janë ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut!” – (Hadithi nr. 1279, f. 81. Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Saidi).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 janar 2017