Xhamia, si vend i qetësisë shpirtërore dhe burim frymëzimi për jetën

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të Vetëm të gjithësisë.

Krijuesit të njeriut nga asgjëja, Atij, që e përsosi njeriun duke e udhëzuar atë drejt rrugëve të Dashnisë së Tij, nëpërmjet shpalljes hyjnore, logjikës, arsyes, ndjenjave, meditimit, reflektimeve dhe kërkimit të vazhdueshëm në thellësitë e detrave të dashnisë…

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sonte në këtë natë dhe në çdo moment të jetës sonë, Ma të Dashtunit të zemrave tona, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Kudo që të jeni, bini salavat përmbi mua, sepse salavati juaj më mbërrin!”

E, nëpërmjet respektit, përuljes dhe dashnisë ndaj Zotërisë së bijve të Ademit, dërgojmë salavate dhe selame, përshëndetje të sinqerta dhe dashni të mbushur me mall e mirënjohje për krejt të dërguarit e All-llahut ndër shekuj, pishtarët e udhëzimit, sakrifikuesit më të mëdhenj në rrugën e ruajtjes së dinjitetit njerëzor, besimit dhe moralit!

Veçanërisht për babain e të dërguarve, Hz. Ibrahimin (a.s), për babain e dytë të njerëzimit, Hz. Nuhun (a.s), për durimtarin e madh, Hz. Musain (a.s) dhe, për të parafundin e të dërguarve të All-llahut, të mirin e të dashurin, mrekullibërësin me lejen e All-llahut, Hz. Isa ibn Merjem (a.s)!

Të dashur e të shtrenjtë vëllezërit e mi në Besim, në Humanizëm e në Komb,

Përshëndes me zemër 20 vjetorin e xhamisë “Mërgimi”, këtu në Affoltern am Albis të Zyrihut; një arritje e madhe, një dëshmi besimi, qytetarie e besnikërie e shqiptarëve të mirë të kësaj zone, që keni ruajtur me pastërti e sinqeritet të madh elementët më të rëndësishëm të dinjitetit tuaj njerëzor; besimin e shenjtë, gjuhën e dashur, traditat e vyera kombëtare, harmoninë e shtrenjtë komunitare në këtë vend të dashur, që ju ka hapur krahët e zemrës, duke ju mirëpritur ju dhe familjet tuaja, duke ju krijuar mundësi për punë, jetesë e fitim hallalli.

Në një mënyrë a tjetër, emri i xhamisë tuaj me realitetin e largimit tuaj nga vendlindja e shtrenjtë, më ngjajnë me emigrimin e parë të muslimanëve të Mekës, të cilët, Resulull-llahu (a.s) i udhëzoi të shkonin në një vend, për të cilin tha: “Aty është një mbret, tek i cili, nuk i bëhet padrejtësi njeriu!”

All-llahu i Madhëruar ju dhashtë mbarësi dhe suksese, ju dhe familjeve tuaja fisnike, për të jetuar në harmoni të plotë me qytetarët e këtij vendi dhe kësaj toke, për të respektuar dhe për t’u respektuar, si shqiptarë të mirë, si muslimanë të mirë, si njerëz plot dinjitet dhe fisnikëri!

Të dashurit e mi,

Në Kur’anin Famëlartë, All-llahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen drejt një sekreti të madh, që lidh tokën me qiellin, zemrën dhe mendjen e besimtarit me dritën e udhëzimit, sekretin e sekreteve, çelësin e dyerve të mbarësisë në jetë! Urdhëron dhe thotë: “All-llahu është Dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve dhe i tokës.

Shembulli i Dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon nga drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë e di shumë mirë!” – (En-Nur: 35).

Pas këtij ajeti, vijon dhe thotë: “(ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij. Atij i bëjnë lutje dhe madhërime, mëngjes e mbrëmje. – njerëz që nuk i pengon as tregëtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin! Ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet…” – (En-Nur: 36-37).

Një përshkrim i mrekullueshëm, që përbën edhe boshtin e këtij tubimi, thelbin e kësaj ligjërate.

Xhamia, si burim qetësie, udhëzimi, frymëzimi në jetë e pikënisje drejt çdo mirësie në jetë.

Xhamia, si stacioni kryesor i edukimit të individit musliman, vendi i formimit të qytetarit model në shoqëri. Vendi i paqes, i mikpritjes, i dialogut, i komunikimit pa perde e pa paragjykime, i hapjes ndaj tjetrit, i ballafaqimit të mendimeve dhe ideve, i përsosjes së moralit nëpërmjet mësimit, edukimit dhe dëshmimit në komunitet të vlerave më të larta njerëzore!

Xhamia, vendi, që Resulull-llahu (a.s) e përzgjodhi si stacionin e tij të parë në rrugëtimin e ri drejt Medines së Ndriçuar, ku u angazhua, (i udhëzuar nga Zoti i gjithësisë), drejt përsosmërisë së asaj pune të madhe që pat nisur para 13 vitesh në Mekë…

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Affoltern am Albis, më 4 shkurt 2017

(Pjesë nga ligjërata e mbajtur me rastin e 20 vjetorit të xhamisë shqiptare “Mërgimi”, Affoltern am Albis, Zvicër)