
Nga poezitë dhe divani i Imam Shafiiut
Vargjet e mëposhtme, të mbledhura nga literatura burimore e trashëgimisë së autorit, janë urtësi nga eksperiencat e Imam Shafiiut, i cili përtej dijes dhe urtisë së tij, ka shëtitur gjithandej, ku ka takuar njerëz të shumtë e shoqëri të ndryshme.
Në vargjet e tij, ai reflekton dhembjen, zhgënjimin dhe gjendjen e tij në raport me realitetet e ndryshme të jetës së tij, realitete që përsëriten herë pas here në historinë e shkurtër të jetës njerëzore, duke dëshmuar se njeriu, ngelet një krijesë e habitshme, e rrethuar nga egoizmi, smira dhe gjendjet paradoksale. Vetëm besimi i pastër dhe vullneti drejt përsosjes së tij, e mban njeriun në ekuilibër!
Mjerim
Mjerim është të duash,
kur ai që do, dikë tjetër do!
Edhe njeriut të mirën t’i duash,
kur ai vetëm të keqen të do!
Larg, shumë larg do të shkoj…
Do largohem, do udhëtoj nëpër botë,
qëllimin tim të arrij, a i huaj të vdes.
nëse rrugës shkoj, shpirtin Zoti e mëshiroftë,
nëse shpëtoj, kthimi im i afërt do jetë!
Morali i njerëzve
Ah, sikur qentë komshi t’i kishim,
ah, sikur mos të shihnim, atë që shohim!
Qentë qetësohen, rrinë aty ku janë,
sherri i njerëzve asnjëherë qetë s’bie!
Ik me veten tënde, qetësinë gjej në vetminë e saj,
i lumtur do të jesh, përherë në vetminë e saj!
Dobitë e udhëtimit
Largohu nga toka jote në kërkim të lartësive.
Udhëto, se pesë dobi udhëtimi i ka:
Largon mërzinë, jetesën fiton,
dije, moral dhe shoqëri të mirë!
Nëse thonë: Udhëtimi përulje e mjerim,
pakënaqësi e veç vështirësi ka!
Vdekja është, më mirë se jeta,
në një vend, rrethuar me zemërligj e smirëzinj!
Kështu është jeta…
Kur erdha te njerëzit për t’u kërkuar,
një mik të mirë për ditët në vështirësi,
kalova jetën me ngritje e ulje,
të gjallëve u thirra: Kush më vjen në ndihmë?
Nuk pashë në vështirësi, veçse të gëzuar,
e në ditët e mira, veçse smirëzinj!
Përktheu nga arabishtja, përshtati në shqip dhe studioi:
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 shkurt 2017