Është e habitshme çështja e njeriut mosmirënjohës..!

Është e habitshme çështja e njeriut mosmirënjohës dhe mohues ndaj Zotit! Ai jeton i nënshtruar ndaj egos, i skllavëruar nga epshet!

Puna dhe dija e tij nuk janë gjë tjetër, veçse mjete drejt egos dhe epsheve të tij! Përparimi dhe civilizimi i tij, luftrat dhe armiqësitë e tij, nuk janë gjë tjetër veçse mjete të egos dhe nënshtrim ndaj epsheve!

Është e habitshme çështja e njeriut mosmirënjohës dhe mohues ndaj Zotit! Ai adhuron një zot, që e ka formësuar nga epshet e tij, pasi u frymëzua për të nga armiku i tij! Ai adhuron atë që quhet: interes! Interesi që ngrihet mbi vlerësimin e egos së sëmurë, të trupëzuar në të paktën e kësaj bote, në epshe kapriçoze, në dëshira kafshërore, ku nuk merret për bazë opinioni i mendjes, as nuk konsiderohet vendimi i hyjnores!

Është e habitshme çështja e njeriut mosmirënjohës dhe mohues ndaj Zotit! Ai është i gatshëm të ofrojë mendimin e tij, trupin, pasurinë dhe jetën, si kurban për egon e tij dhe afrim drejt epsheve të tij!

Dhe, kush prej të mençurve, (të pakët janë të mençurit në sojin e mosmirënjohësve dhe mohuesve ndaj Zotit), nuk e sheh se si ky lloj njeriu e hap varrin e tij me thonjtë e tij, në tokën e kësaj jete; me vullnet të lartë, seriozitet dhe vazhdimësi?!

A nuk e sheh këtë soj njeriu, teksa vrapon në vazhdimësi dhe me shumë vrull drejt:

– Garimit në armatim, veçanërisht në mesin e shteteve të mëdha?

Kjo është një garë për të imponuar pushtet, për të pushtuar, për të shtuar pasues, për të qëndruar në maje me çdo mjet dhe në çdo nivel, përveç mjeteve të së vërtetës dhe niveleve të moralit!!

– Zhytjes së vazhdueshme në thellësitë e dëmtimit të trupit, deri në shuarjen e jetës së tij, nëpërmjet konsumimit të alkooleve, marrjes së drogërave, pirjes së gjakut, konsumimit të mishit të derrit, mishit të qenit, pirjes së duhanit etj. Edhe pse shkenca e hershme dhe eksperimentet bashkëkohore, vërtetuan se këto gjëra janë të dëmshme për organizmin!

– Dhënies plot injorancë drejt imoralitetit dhe homoseksualitetit, që i quajnë marrëdhënie intime! Pa marrë në konsideratë nder e karakter, hallall e haram, derisa të zhyten në sëmundje seksuale të rrezikshme, që e çojnë njeriun drejt vdekjes së sigurtë!

– Sulmeve plot guxim të njeriut ndaj vëllasë së tij njeri, të cilin e torturon, e përdhunon, e vret, në një mënyrë barbare, që nuk njihet as në instiktet e ujqërve dhe egërsirave, vetëm e vetëm për interesa banale të kësaj bote.., teksa, bota me njerëzit e saj e kanë një fund…

Them, me shumë keqardhje dhe djegie zemre: Ky njeri mosmirënjohës dhe mohues ndaj Zotit të tij, do të vazhdojë të rrëshqasë në dekadencë, në mendjen dhe mendimin e tij, në dijen dhe veprën e tij, në moralin dhe sjelljen e tij, në mbështetjen e tij ndaj vetvetes, a gruas, që është pjesë e tij, derisa shkatërrimi të përfshijë këtë soj njeriu dhe të tretet: “Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë parinë e tyre (të jenë në rrugë të drejtë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht!” – (Kur’ani, El-Isra: 16).

Pra, i urdhërojmë (dhe i udhëzojmë) me bindje dhe afrim drejt All-llahut të Madhëruar, ndërsa ata largohen dhe devijojnë.

Kush e shëron këtë soj njeriu të çuditshëm dhe mosmirënjohës, nga çmenduria e tij? Kush e kthen atë në natyrshmërinë e tij fisnike? Kush ia drejton frenat e epsheve të tij dhe ia udhëzon egon e kapriçot e tij? Kush ia mbron trupin, mendimin, pasurinë dhe veprën e tij?

Kush e mëson se njeriu është vëlla i njeriut, prandaj nuk duhet t’i bëjë padrejtësi atij, as ta poshtërojë, as ta nënçmojë, as ta vjedhë, as ta vrasë, as të abuzojë me nderin e tij, as ta përdhunojë në fisnikërinë e tij?!

Kush e orienton këtë njeri të hutuar e meskin drejt qëllimit të krijimit të tij dhe urtësisë së prezencës së tij në këtë jetë?

Kush e orienton këtë njeri të hutuar e meskin drejt vërtetësisë së njerzillekut të tij, detyrave të tij në jetë dhe vërtetëssë së lidhjes së tij me sojin e tij njeri?

Kush e shpëton këtë njeri nga vetvetja e tij?

Është feja e All-llahut të Madhëruar, të cilën, Ai e zbriti si udhëzim, mëshirë dhe mesazh fisnikërie për njeriun në të dy jetët e tij! Amanetin e përhapjes së saj ia ngarkoi më të mençurit njeri, më të ndershmit njeri, më të plotit njeri, Hz. Muhammedit (a.s), që është ndriçim e dritë!

Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, (Medine, Rexheb, 1401 h.)
(Nga parathënia e botimit të pestë të librit:
“Gruaja muslimane”, botimi i tetë, Damask, 1999).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 shkurt 2017