Dy mirësi të papërshkrueshme… (1)

Nga bekimet e All-llahut ndaj muslimanëve dhe plotësimi i dhuntive të Tij ndaj tyre, janë edhe dy mirësi të mëdha, me të cilat dallohet ky ymmet, i fundit i krejt ymmeteve: “Mirëpo, All-llahu me mëshirën e Tij veçon atë që dëshiron, All-llahu është Zot i mirësisë së madhe!” – (El-Bekare: 105).

1. Mirësia e përjetësisë së Kur’anit:

Që do të thotë përjetësia e burimeve të kësaj feje dhe vazhdueshmëria e tyre nën mbrojtjen e All-llahut. Ky ymmet është i fundit ymmet, të cilit, All-llahu i ka ngarkuar mesazhin e Tij të fundit. Pas Lajmëtarit të tij, nuk ka tjetër të dërguar. Pas Kur’anit të tij, nuk ka tjetër Libër. Për këtë, Ai nuk e la mbrojtjen e Kur’anit në dorën e njerëzve, si Librat e tjerë, por e mori përsipër mbrojtjen e tij, me Veten e Tij. Për këtë na lajmëroi: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithësesi jemi mbrojtës të tij!” – (El-Hixhr: 9).

Kur’ani është burimi i parë i kësaj feje, burimi i parë i akides, besimit, sheriatit dhe sjelljes.

Dhe, realiteti historik e vërtetoi këtë premtim hyjnor, në mënyrën më të saktë. Kaluan më shumë se katërmbëdhjetë shekuj nga zbritja e këtij Kur’ani dhe ai është po ai, siç e zbriti All-llahu, siç ia lexoi i dërguari i Tij, sahabëve, siç u shkrua në kohën e Hz. Osmanit (r.a). E mbartin brezat, të ruajtur në gjokse, të lexuar me gjuhë, të shkruar në Mus’hafe!

Dhe, nuk ka Libër që mësohet përmendësh nga dhjetra mijëra a qindra mijëra nga bijtë e tij, si Kur’ani Famëlartë, të cilin s’e prek kotësia, ai është shpallje e të Urtit!

Mbrojtja e Kur’anit, siç ka tërhequr vëmendjen Imam Shatibiu, rahmet pastë, përfshin edhe mbrojtjen e Traditës Muhammedane (Es-Sunneh), sepse ajo është shpjegimi teorik dhe praktik i Kur’anit. Sepse mbrojtja e të shpjeguarit përfshin edhe mbrojtjen e shpjeguesit, së bashku!

– vijon, me mbarësinë e All-llahut –

Shejkh Jusuf El-Karadavi
Nga vepra: “Rrugës drejt All-llahut”, botimi i parë, Kajro, 1995.

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 22 shkurt 2017