2. Biografia e pastër e Hz. Muhammedit (a.s).
Ajo është një histori e veçantë, me veçoritë e saj të qartësuara nga verifikuesit në mesin e dijetarëve*.
Ajo është një histori shkencore e regjistruar, një biografi historike e vërtetueshme, një biografi me hallka të plota; nga lindja në vdekje. Një biografi e plotë e gjithëpërfshirëse, që trupëzon jetën e Lajmëtarit (a.s) në ndodhi dhe ngjarje, që flasin qartë!
Kjo jetë e plotësuar dhe e ekuilibruar, në të cilën e gjejmë Islamin të gjallë, Kur’anin të interpretuar dhe vlerat islame që ecin me dy këmbë në mesin e njerëzve; kjo jetë është praktika shkencore e Kur’anit Famëlartë, siç ka thënë Nana e jonë Aishe, kur u pyet për moralin e Resulull-llahut (a.s), tha: “Morali i tij ishte Kur’ani!”
Kjo jetë, është ajo në të cilën çdo musliman gjen shembullin e tij më të lartë, udhërrëfimin e tij më të përsosur, sepse atë e edukoi Zoti i tij, duke e përsosur edukimin e tij, pastaj i zbriti atij Librin dhe urtësinë, i mësoi çfarë nuk dinte, e begatoi me mirësi pa fund dhe atë e bëri dhuratë bekuese për besimtarët, kur e dërgoi në mesin e tyre: “Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar, që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe urtësinë, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” – (Ali Imran: 164).
All-llahu i Madhëruar thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, për atë që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër dhe që shumë shpesh e përmend All-llahun.” – (El-Ahzab: 21).
Nuk ka, as tek hebrenjtë, as tek të krishterët, as tek askush tjetër prej pasuesve të feve të tjera, si kjo biografi e gjallë, pulsuese, gjithëpërfshirëse për krejt fazat e jetës dhe krejt drejtimet e saj, siç na dëshmohet në librat e karakteristikave të Lajmëtarit (a.s) dhe librat e Traditave të tij (a.s).
Në këto libra përfshihet çdo gjë nga jeta dhe sjellja e tij: në ngrënie dhe në pije, në veshje dhe zbukurim, në gjumë dhe në aktivitet, në adhurim dhe në marrëdhëniet njerëzore, në fé dhe në çështjet e kësaj bote, në paqe dhe në luftë, në marrëdhënie me të afërmit dhe me të largëtit, me përkrahësit dhe me armiqtë. Krejt këto janë të transmetuara dhe të ruajtura në këtë biografi të plotë!
Shejkh Jusuf El-Karadavi
Nga vepra: “Rrugës drejt All-llahut”, botimi i parë, Kajro, 1995.
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 shkurt 2017
—————————–
* Ndër më të spikaturat vepra në këtë kontekst përmend: Leksionet e dijetarit Sulejman En-Nedevi, të përkthyera nga gjuha urdu në arabisht nga Muhibbuddin El-Khatib, botuar me titull: “Mesazhi Muhammedan”, një libër që duhet lexuar.