Petale jasemine…

(mbështetur mbi pragun e lutjes...)

Netëve me mall kujtimesh, era e jaseminës damaskene sundon me prezencën e saj të heshtur…
Thyen krejt ligjet e fizikës, nuk pyet për labirinthe ekuacionesh pa zgjidhje, amberin e parfumit shpërndan mbi horizont, si bekim që zbret mbi të ngujuar në mibrabe lutjesh…

Netëve me mall kujtimesh, petalet e jaseminës mbulojnë tokën e qiellin, si dëborë e bardhë e viteve që shkuan…
Kudo mbizotëron qetësi, si qetësia që dhuron prekja e petaleve të jaseminës, mbuluar me vesë mëngjesesh pa gjumë, me duart mbi pragun e frymës…

Netëve me mall kujtimesh, si petale jasemine përhapur mbi horizonte të heshtura, bota ime, bota jote; bota jonë ka ende shpresë, si bardhësia e petaleve të jaseminës…

Në botën tonë, petalet e jaseminës vlejnë rreze, si rrezet e diellit që shpojnë errësira të imponuara motesh pa dritë, pa shpresë, pa diell ndriçues…

Në botën tonë, petalet e jaseminës mbeten simbol trokitjesh në dyer qiejsh, mbi realitete pa emër, ngujuar në hutim…

12 qershor 2017