“Melekët” mbi Qabe…

Ka disa ditë që më pyesin rreth disa “fenomeneve”, si: “melekët” e “shfaqur” mbi Qaben e Madhnueshme, në disa postime që kanë mbushur rrjetet sociale, mbi emrin e All-llahut (xh.sh) në ca lëvozhga pemësh e barqe peshqish, e gjëra të ngjashme, që i gjen krejt kollaj aty-këtu në postime të mahniturish.

Ju them përherë, mos lejoni të tallen me intelektin dhe besimin tuaj, me primitivizma të tilla, që ju mpijnë mendjen dhe ju robërojnë zemrën!

Jo thjeshtë sipërfaqja e Qabes, por shtëpia ku ti banon, puna ku ti fiton hallallin, vendi ku je tubuar me shoqërinë tënde, me të cilët ulesh dhe ngrihesh si musliman, hapat që hedh kudo që shkel, teksa gjuha jote madhëron Mëshirëbërësin, vështrimet plot bekim ndaj familjes tënde, përulësia ndaj prindëve, mëshira ndaj jetimit, loja me fëmijët e tu, përkushtimi ndaj punës që ke amanet, sakrifica e madhe për të kërkuar dijen; duke vrapuar pas mexhliseve të dijes, duke shpenzuar për një libër plot dobi, duke u konsultuar rreth një ajeti a një meseleje shkencore në dobi të njerëzimit, shpenzimi për pasurimin e librotekës personale e të ngjashme, krejt këto veprime janë të rrethuara nga mëshira dhe bekimet e All-llahut në jetën tënde!

Prandaj, mos të bëhemi folkloristë e sipërfaqësorë në marrëdhëniet tona me besimin dhe bukuritë e tij!

Ne nuk kemi nevojë të na shfaqen “melekë” mbi Qabe, për ta kuptuar e vlerësuar madhështinë e një kibleje, që bashkon krejt muslimanët e botës për të dëshmuar bashkarisht se muslimanët janë forcë ndërtuese në këtë botë; forcë, pa të cilën kjo botë shkon dita-ditës drejt greminave të ateizmit dhe mjerimit që i ka sjellë dhe vazhdon t’i sjellë ai botës, ekstremizmit fetar, abuzimit me logjikën dhe mendjen e njeriut në emër të “fesë” së abuzuar mjerisht, shthurrjes në emër të lirive personale, prishjes së familjes dhe degjenerimit në emër të barazisë gjinore etj. Forcë, e cila ka ardhur koha të riaktivizohet, pas një shekulli hutim dhe devijimi nga udha e së vërtetës, me të cilën u dërgua Hz. Muhammedi (a.s)! Forcë bekuese, për të dëshmuar toka shërimin e njeriut dhe kthimin e tij në origjinën e të mirës, pa të cilën kjo tokë po thahet, si lulja pa ujë!

Ne nuk kemi nevojë për peshq me emrin e Madhëruar mbi kurriz, as për fruta me forma harfesh, a re lëvizëse me detaje mistike, për të parë në pasqyrë besimin tonë! Besimi dhe bindja në All-llah, tejkalon këto detaje, para të cilave, të shumtë kanë rënë në grackën e “idhujtarisë materiale”, në emër të Besimit!

Më kujtohet një i moshuar, frekuentues i një prej xhamive të shumta, që kam vizituar gjatë viteve të shërbimit, i cili më tregoi një ditë një gur me ca plasaritje pa asnjë kuptim. Më tha: “E sheh emri i kujt është shkruar mbi të?” I habitur, ia ktheva: Nuk e kuptoj gjuhën, me të cilën është shkruar!

Zgjohuni dhe ejani në vete, o njerëz!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 2 korrik 2017