Fatkeqësia më e madhe…

“Nuk është vdekja fatkeqësia më e madhe e jetës, përkundrazi, ajo është natyrë e kësaj jete! Fatkeqësia më e madhe është vdekja e frikës së All-llahut në zemrën tënde, ndërkohë që ti vazhdon të jetosh në këtë jetë!”

Kur e mendon këtë urti të dijetarit erudit, Shejkh Muteveli Shaaravi, kupton sesa i rëndësishëm është besimi në Zotin dhe udhëzimi në jetë!

Realitetet e përditshme janë dëshmitari më i mirë se njeriu që nuk e njeh frikën e Zotit, është në gjendje të kapërcejë shumë kufij të imagjinatës, duke u shëmtuar në një krijesë të frikshme, që çfarë nuk bën për të kapur fillin e ambicies së tij të sëmurë, egoizmit, epsheve të shfrenuara…

Për këtë, katastrofa më e madhe për një komb, është pikërisht atëherë kur besimi në Zot dhe morali i vërtetë i Fesë, nis të luftohet e të trajtohet me padituri si shkak i prapambetjes dhe i humbjes. Në fakt, historia e jonë njerëzore na ka vërtetuar të kundërtën!

Populli i degraduar i Hz. Lutit, në shthurrjen e tyre morale dhe njerëzore, bërtiste me të madhe duke bërë me gisht nga besimtarët: “Ata janë njerëz që duan të pastrohen”… Sa e sa panorama të ngjashme përsëriten sërish në historinë tonë, në kohën tonë…

Sot, është koha e kthimit nga Zoti, e pendimit, e vullnetit për të ndryshuar!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 14 korrik 2017