“Gënjeshtar! Zoti s’të korit me të parën!”

Po komunikoja me një mik të mirë rreth ca lajmeve që vijnë nga “bota e lirë”, ku skandalet morale, sa vijnë dhe bëhen më të bujshme, aq sa gati-gati nuk përbëjnë më lajm… (Realisht, i konsideroj si terrorizëm (real) moral.., po, po, terrorizëm moral!)

Për një moment, m’u kujtua një lexim i vjetër nga një biografi voluminoze mbi jetën e Hz. Omerit. Një ditë i sollën para duarve një hajdut, i cili nisi të bërtiste se ishte hera e parë që e bënte krimin e tij. Hz. Omeri, me madhështinë e pjekurisë së tij, ia ktheu: “Gënjeshtar! Zoti s’të korit me të parën!”

Në fakt, realitete të shumta plot imoralitet, shthurrje, alkool, mish derri, përzierje gjinishë në festa muzikore, pijesh e dëfrimesh, (që shpesh përfundojnë, si përfundojnë), por jo vetëm, na ofrohen si alternativa perëndimore, drejt shpirtit demokratik e liridashës, e etiketime pa fund, si e si ta grabisin mendjen dhe zemrën e të riut tonë drejt një realiteti social, që ka provuar ndër shekuj se është i humbur, i pamoralshëm, i papastër, i dështuar, i pa-Zot, i pafé, i paornek!

Dhe, për një moment, ndalem dhe më vijnë ndër mend ajetet e fundit të sures “El-Kehf”, ne kontekstet e së cilave thuhet: “Thuaj: A t’ju tregoj për më vepërhumburit? Janë ata, që kanë devijuar rrugën në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendojnë se veprojnë drejtë…”

Dhe, kur e mendon, sa e sa mashtrues e imoralë, të devijuar e matrapazë, (me vetveten fillimisht), “nuk i ban syni ferk”, teksa të bëjnë edhe moral, të shesin edhe mend e dije, kulturë e qytetërim, por jo vetëm.., ndërkohë, thellë-thellë, edhe ata e dijnë mirë se janë aktorë të aftë, vënë në skenat e jetës së përditshme libretet më të djallëzuara të botës së errësirave…

Mjerë për ata që mashtrohen pas tyre…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 19 korrik 2017