Aksaja, njësia e pakuptueshme e matjes së pulsit…

Kam përshtypjen se sikur, (mos qoftë e thënë), të ishte dhunuar ndonjë kishë e sinagogë, siç shohim me dhembje dhe zemërim të thellë atë që po ndodh me Aksanë Sherife, bota demokratike do ngrihej në këmbë në alarm botëror!

Hipokrizia në trajtimin e Aksasë dhe Palestinës martire, dëshmon se kjo botë dhe ky sistem, kanë nevojë urgjente për shërim, që buron nga Krijuesi i botrave dhe Fjala e Tij e padeformuar!

Përderisa në atë tokë të shenjtë, burrneshat muslimane lindin çdo ditë djem e vajza krenarë për fenë, tokën dhe historinë e tyre, nuk do ketë ushtri tmerri që e ndalon dot pastrimin e asaj toke të dhunuar e të zaptuar padrejtësisht!

Sot, bota islame përjeton momente paradoksale në përpjekjet për Rizgjim dhe Rimëkëmbje. Muslimanë në mbarë botën përpëliten në krahët e sistemeve politike në orientim afetar, fetarëve me indoktrinim laik, xhemateve që propagandojnë mosafrimin me politikën, myftilerë që reagojnë me komandë politike, drejtues fetarë të katapultuar me qëllim moçalizimin e mëtejshëm të organizimeve të muslimanëve, të tjerë, fanatikë e të izomuar nga ana në kulmin e ekstremit në marrëdhënie me të krishterë e jomuslimanë të tjerë, mendjengushtë në leximin e teksteve, a mospërfillës ndaj tyre, thirrës drejt një mode të re iluminizmi, që minos në themel trashëgiminë shekullore të zhvillimeve diturore në botën tonë, por jo vetëm!

Përtej kësaj, ka dekada që ka nisur procesi i rizgjimit nëpërmjet kontributit të burrave të urtë, që sot nuk janë më, porse ajo çfarë mbollën me durim e përkushtim, ka nisur të japë frutet e duhura gjithandej, anëmbanë botës…

Aksaja, u dhunua sërish!

Bota perëndimore heshti, si zakonisht në kësi rastesh!? Ajo islame, u revoltua sërish me lutje e solidarizime..!? Por, deri kur? Deri kur, gjithësecili prej nesh të çlirohet nga dozat relative të hipokrizisë në marrëdhënie me fenë, politikën, “të mëdhenjtë”, zullumet e qeverive, injorancën dhe meskinitetin në marrëdhëniet brenda bashkësisë sonë… Deri kur të mbushemi me kurajo legjitime për të mos pranuar më kësi realitetesh meskine, me të cilat është rrethuar edhe e sotmja e jonë…

Teksa po përfundoj këto shënime, më vjen ndër mend zhurma e ambientalistëve për Xhaminë e Madhe në Tiranë, ajo që improvizohet për Xhaminë e Madhe në Prishtinë, krakëllimat e disave për plazhiste me hixhab, e të ngjashme!

(Ne e kemi Aksanë në mes nesh, por s’e ndjejmë, a bëjmë se s’na intereson..!?)

Aksaja, njësia e pakuptueshme e matjes së pulsit në mes nesh…

Imam Muhamed B. Sytari 
Shkodër, 22 korrik 2017