
Lavdia e shekujve plot drejtësi dhe mëshirë, mirëqenie dhe qytetërim, që muslimanët me Islamin e tyre gjithëpërfshirës dëshmuan për gjatë shekujve dhe ditën të udhëheqin botën drejt harmonisë dhe humanizmit, pa asnjë dyshim që do të rikthehet në shinat e veta, pas gati një shekulli rënie dhe hutim, kolonizime të jashtme, plot dhunë dhe terror ndaj njerëzimit, shoqëruar me shitje shpirtrash dhe hipokrizi edhe nga brenda “familjes”.
Koha po afron dhe muslimanët e mbarë botës janë të thirrur sot, të zgjedhin në mes të jetuarit si turma, që verbohen nga shumësia e barazvlefshme me shkumën e detit, (siç i Dërguari i All-llahut paralajmëronte para 15 shekujsh), ose rikthimit te shkaqet e krenarisë dhe lavdisë së merituar, duke mos shitur shpirtin para çdo politike asimiluese, si dhe duke mbajtur kokën lart me trashëgiminë e shekujve, të cilën duhet t’ia mëkojmë fëmijëve dhe rinisë sonë pa asnjë ndrojtje!
Ky shekull është i Islamit! Po, kjo është një e vërtetë që ndjehet dhe dëshmohet gjithandej anëmbanë botës! Është një e vërtetë që s’e kthen më pas as islamofobia në gen e të tërbuarve të dëshpëruar të kohës sonë, as hipokrizia e dikujt tjetër në marrëdhënie me muslimanët dhe botën, as hutimi dhe frika e shumëkujt në mesin e vetë muslimanëve!
Mbi të gjitha, ky Islam i pastër dhe alternativë shpëtimi për botën e sotme, ka nevojë për burra të sinqertë, për disiplinë dhe sakrificë të madhe në rrugën e ndërtimit të vlerave!
Këtë mirësi, nuk mund ta arrijnë njerëz që nuk kanë respekt për veten, kohën dhe shenjtërinë e misionit që bartin mbi supe, a që i është besuar!..
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 19 qershor 2018