Sërish u dorëzuam në Hira…

Dita e sotme nisi më herët nga parendëset e saj… Ezani i sabahut nga rrethinat e Mekës, na e zbukuroi edhe më shumë ngjitjen drejt Hirasë. Për disa minuta, i gjithë qyteti ishte rrethuar nga thirrja e shenjtë e ezanit të kësaj dite të re. Gjithandej dritat e qytetit që nuk ka gjumë, mblidheshin diku në një pikë të horizontit, pak hapa më tutje hapësirës së dritësuar nga rrezatimi i përhershëm i Nurit të Qabes së Madhnueshme! O Zot, çfarë bukurie! Subhanallah, çfarë përjetimi!..

Dalëngadalë, me frymën që përpëlitet si në një djep që nuk di të ndalet dhe me energjinë që ka fituar duket se e bën zemrën të dalë vendi nga malli dhe pritja, shfaqet fundi i rrugës… Hiraja është aty, në heshtjen dhe madhështinë e saj!

Errësira e natës, përzier me dritat e rrethinave dhe freskinë që mbush hapësirat me frymë paqeje, nis t’i hapë dyert rrezeve të para të agimit të ri, me të cilin do të takohemi tek pragu i Hirasë së zemrës.

Është një emocion shumë i madh, që përzihet me detaje të shumta të një historie që na mban në jetë, që na frymëzon, që na merr për dore drejt urtësisë dhe dijes, udhëzimit e besimit, qëndrueshmërisë në besëlidhjen e shpirtit dhe mostundimit para sprovave dhe intrigave të jetës…

Është emocioni frymëzues i Hirasë së veçimit me Zotin e botëve, lutjen me përulje dhe kërkimin e lartësimit drejt dyerve të hapura të mëshirës së Mëshirëplotit, kërkimit të vetvetes para duarve të Krijuesit, shoqëruar nga mendimi i thellë, meditimi dhe adhurimi i sinqertë!

Është emocioni i shpalljes së parë hyjnore, pas mbi pesë shekuj ndërprerje. Është emocioni i shpresës së madhe të mëshirës së dhuruar, si vulë e krejt shpalljeve të mëparshme, të dërguarve dhe sakrificave të shpërblyera..!

Është emocioni i papërshkrueshëm i ndjesisë së pamatur të qenies MUSLIMAN, pasues i Ma të Mirit e Ma të Dashtunit, Hz. Muhammedit (a.s.), për jetën e të cilit u betua Zoti i gjithësisë, pozitën e të cilit e lartësoi mbi çdo pozitë dhe, emrin e të cilit e nderoi mbi çdo emër!

Hiraja e Islamit të shpallur nga Krijuesi i galaktikave; udhëzimit të përjetshëm, garancisë së padiskutuar, dritës së kësaj bote dhe ndriçimit në të përtejmen, alternativës, që njeriun e afron me të natyrshmen, logjiken, argumentin, mendjen, shpirtin, fiziken dhe hyjnoren, të mjaftueshmen e plotë për të sotmen dhe të ardhmen! Islamin, që nuk ka asnjë mangësi dhe asnjë kontradiktë, që thërret me madhështinë e shpalljes hyjnore: ” All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim!” – (En-Nahl: 90)

Hiraja e zemrës..! Aty, ku koha është e pamjaftueshme për të përfshirë mirazhet e zemrës dhe lutjet e saj drejtuar All-llahut të Madhëruar, në përulje dhe nënshtrim të ripërtërirë…

Imam Muhamed B. Sytari
Hira, Mekë, 31 dhjetor 2018