Orë tavafi…

Orë e vonë. Ndoshta herët. Orë tavafi. Qabe tavafesh, zbukuruar me kohë të bekuara plot orë adhurimi. Në tavaf nuk ka orë. Koha, përgjatë tavafit, lundron si në krahë melekësh, në sjelljet e përhershme përreth Shtëpisë së Lashtë të adhurimit… Orë.., kohë.., tavaf..!

Fytyra të qeshura. Zëra të lumtur. Zëra të mekur. Fytyra me lot. Fytyra të mbuluara me duar-lutje. Fytyra në prehje. Fëmijë të gëzuar, (edhe pse s’e perceptojnë dot dritësinë e yjësisë, ku notojnë së bashku me prindët e tyre në tavafet e kësaj nate, të krejt netëve). Fëmijë të këputur në supe të zhveshura baballarësh me të bardha. Prehen të qetë në më të ëmblin gjumët, ninulla më e mrekullueshme u përkëdhel kokën. Ninullë dashnie në ritme tavafi..!

Gumëzhitje zërash në tavaf. Dhikër, Kur’an, lutje në gjuhë e dialekte, për të cilat askush nuk të pyet dhe, askujt nuk i detyrohesh një shpjegim. Xhanëm, është marrëdhënie vertikale, në mes teje dhe Zotit të Qabes. Lutje tavafesh në ritmet e lëvizjes së orës, mbështetur mbi kohën e Qabes, ku një namaz pakminutësh vlen sa njëqind mijë namaze në një vend tjetër..!

Gumëzhitje zërash që s’reshtin së adhuruari, në një vorbull të mrekullueshme drite, që përherë mban të lidhur natën me ditën në orën e tavafit e kohën e Qabes..!

Orë e vonë. Ndoshta herët. Orë tavafi..!

Imam Muhamed B. Sytari
Qabja e Madhnueshme, 1 janar 2019