Hz. Nuhu (a.s.), thirrësi që na frymëzon në një rrugëtim të shenjtë..

Në Kur’anin Famëlartë lexojmë një sure me emrin e të dërguarit të All-llahut, Hz. Nuhut (a.s.). Është e jashtëzakonshme përpjekja dhe sakrifica e këtij burri të madh, në rrugën e Thirrjes drejt besimit dhe vlerave.

📖 Të lexojmë me vëmendje: “Dhe sa herë që unë i thërrisja ata për t’u falur Ti atyre gjynahet, ata i vinin gishtat e tyre në veshë dhe mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në të tyren me një mendjemadhësi të fortë! 📌Pastaj, unë i thirra ata haptazi 📌 Pastaj unë thirrjen ua drejtoja atyre haptazi, e shumëherë edhe fshehurazi!” – (Nuh: 7-9).

📍 Ajo që vihet re në mënyrë të qartë është përpjekja e vazhdueshme dhe mos dorëzimi i të dërguarit të All-llahut për të ftuar popullin e tij në besim, në vlera, në udhëzim e dritë, përtej paudhësisë dhe devijimit ekstrem të tyre.

Kjo na frymëzon që në rrugën e thirrjes sonë, të mos thyhemi e të mos dobësohemi, sa herë që dikush, djathtas a majtas, përpiqet të na frenojë e të na ndalojë në misionin tonë të shenjtë! Absolutisht, jo! Ne jemi thirrës në gjurmët e të parëve të ndershëm, që edhe jetën e dhanë në këtë rrugë, por asnjëherë nuk hoqën dorë! Të heqësh dorë nga kjo rrugë, tek ne, është blasfemi!

 Në suren, që mban emrin e Hz. Hudit (a.s.), lexojmë reagimin e çuditshëm të popullit të Nuhut, kundër zotërisë së tij: [Paria që nuk besoi nga populli i tij tha: “Ne nuk të shohim ndryshe vetëm si njeri, sikurse edhe ne, ne nuk po shohim se të pasoi kush, përveç atyre që janë më të poshtërit e më mendjelehtit nga mesi ynë dhe ne nuk shohim se ju keni ndonjë vlerë mbi ne, përkundrazi, ne ju konsiderojmë gënjeshtarë!”] – (Hud: 27)

 Mësim me rëndësi: Sa më shumë që të sulmohet e vërteta dhe njerëzit e saj; sa më shumë që të shtohet arroganca dhe fyerja, sharjet dhe primitivizmi në komunikim, aq më tepër duhet që njerëzit e Thirrjes të motivohen për të vazhduar me këmbëngulje të madhe dhe mbështetje në Zotin e botëve, rrugën e tyre drejt përhapjes së vlerave të besimit!

🕋 Në fund të fundit, nuk ka asnjë dyshim në mbështetjen e Krijuesit, në dorën e të Cilit është gjithësia, përfshi edhe ata që e mohojnë dhe luftojnë ditë-natë që të shuhet drita e Tij! Premtimi i Tij do të lexohet deri sa të ndriçojë dielli mbi këtë botë: “Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive!” – (El-Gafir: 51)

Prandaj, sfida e jonë është sfidë fisnike dhe më e shenjta e rrugëve që të nderon në këtë botë dhe në të përtejmen!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 7/1/2018