Tek Muri i turkut dhe banorët e tij të izoluar…

Rruga drejt banorëve të zonës së njohur, si: Muri i turkut, kalon nëpërmjet fshatit Drisht, Postribë. Pavarësisht se jemi në vitin 2019, rruga nga Ura e Mesit drejt fshatit Drisht, ngjan më shumë me regjistrimet e vjetra filmike bardh e zi, periudhës së pas vitit 1900, a edhe më herët.

Ndërsa nga Drishti drejt Vilzës, a deri te Muri i turkut, natyrshëm që nuk bëhet fjalë më për rrugë, as për koncept vitesh, as për politika shurdhuese që propagandojnë BE, a të ngjashëm me të, ku natyrshëm, edhe fshatrat më të largëta të atyre standarteve, janë të pajisura me rrugë të shtruara, me energji elektrike, me ujë të pijshëm, me qendër shëndetësore, me shkollë e bibliotekë, etj.

Tek Muri i turkut jetojnë edhe 20 banorë të një familjeje muslimane, të izoluar nga bota! Fëmijë të vegjël, por edhe të moshuar, që nuk kanë asnjë lidhje me pjesën tjetër të botës; pa energji elektrike, pa ujë të pijshëm, pa..!?

Hera-herës më ngjajnë me personazhe librash mistikë, zahidë të heshtur e banorë kehf-esh, që nuk e dijnë as ata vetë se, në ç’kohë e në ç’realitet jetojnë..!? Edhe pse, jo shumë larg tyre, gjendet një qytet, që emrin e ka të madh, po aq sa edhe hallet e dertet, ngërçet e mendësitë abuzive, të mëkuara nga e keqja e madhe e periudhës më të errët të historisë sonë kombëtare dhe asaj që pasoi deri sot..!?

Viti 2019! Varfëria ekstreme, mjerimi e skamja, kunvendojnë e qeverisin të qetë e të patrazuar në këto vende..! Edhe pse unë besoj se, në institucionet tona ka njerëz seriozë e vullnete të forta për të ndryshuar këtë gjendje, për të gjetur një zgjidhje, për të dhuruar shpresë e dritë, edhe për këta njerëz të harruar e të izoluar në një zonë të pasur me një natyrë të mrekullueshme e florë të harlisur në rehatinë e vet…

Pa shkelur në këtë tokë dhe pa e vizituar atë, nuk e beson dot këtë që të shohin sytë! Pa i takuar këta njerëz të mirë dhe pa prekur shpirtgjerësinë e tyre, nuk e beson se, përreth nesh ka edhe kështu.., shumë më keq sesa shohim në qytet, shumë më shumë se varfëria në disa fshatra, shumë e shumë..!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 4 shkurt 2019