“Kujt ia do All-llahu të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë”…

Ky hadith i mrekullueshëm qëndron në themel të fesë dhe kuptimeve të saj. Është abc-ja e marrëdhënies tonë me argumentet e fesë, me domethënien e teksteve dhe kuptimin e thellësisë së tyre. Është fija ndarëse në mes leximit pa kuptim dhe mirazheve që dhurojnë tekstet me dimensionet e tyre të shumta, bukurinë dhe përshpirtjen, deri në çështjet më të thjeshta të jetës…

Më dhuroi sot, një prej shokëve të vjetër të periudhës së studimeve, (prej atyre që konsiderohen vëllezër jete dhe, që realisht janë të rrallë), një tekst, që ngacmon zemrën dhe mendjen, pikërisht në raport me hadithin e lartshënuar.

Teksti në fjalë thotë kështu: U pyet një dijetar i urtë: Sa është zekati, i nderuar Hoxhë? Ai ia ktheu: Tek ne apo tek ju? Personi që i kishte drejtuar pyetjen u habit nga pyetja e Hoxhës dhe, nxitimthi ia ktheu: Çfarë është kjo, tek ne apo tek ju? A nuk është një fé?!

Dijetari, i qetë, ia ktheu: Tek ju, 2.5 në 100. Ndërsa tek ne, njeriu me krejt pasurinë e tij janë të Zotërisë së tij! Poashtu koha e tij, eksperienca e tij, elokuenca e tij, marrëdhëniet e tij dhe pasuria e tij, krejt ato janë të All-llahut të Madhëruar, i Cili thotë në Kur’anin Famëlartë: “Thuaj: Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” -(sureja El-En’am: 162)…

E lexova me një frymë këtë rrëfim, që realisht më zgjoi kujtimet e kohërave më të bukura të rinisë sime të hershme, në derset e dijetarëve të urtë të Damaskut, Halebit, Idlibit, por jo vetëm…

M’u kujtuan urtësitë e vaizëve, hatibëve dhe dijetarëve të shquar të Sirisë (pa përmendur leximet në detrat e urtësisë së dijetarëve të Misirit, Indisë etj.), dhe falënderova All-llahun Mëshirëplotë për këtë bekim…

Me sy mbyllur, kalova sërish në mexhliset e Mësuesve dhe Edukatorëve të shquar: Shejkh Ahmed Keftaro, Dr. Muhammed Said Ramadan El-Buti, Dr. Ratib En-Nabulsi, Shejkh Naim El-Arksusi, Shejkh Abdulkadir El-Arnaut, Dr. Mahmud Akkam, Shejkh Mahmud El-Hut, Shejkh Abdulhadi El-Kharsa, Shejkh Ahmed Khurshid, Shejkh Hikmet El-Mual-lim, Shejkh Nedhir Mektebi, Shejkh Ahmed Raxhih, por jo vetëm…

Në një vend të veçantë, në madhështinë e bukurisë dhe nurit të tij, qëndronte Hoxha… Shejkh Vehbi S. Gavoçi, që shpesh, teksa kalonte para duarve të tij mendimet dhe komentet e dijetarëve, që i kundërshtonte me argumente dhe arsyetime më bindëse, ndalej, buzëqeshte dhe thoshte: “Inshallah e pyesim në xhennet se ça ka dashtë me thanë me këtë gjâ!”…

Ky është thelbi i kësaj çështje, të dashurit e mi: “Kujt ia do All-llahu të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë”…

Imam Muhamed B. Sytari