“Populli musliman don me ndigju bilbilat e jo kukuvajkat..!”

Po lexoj veprën me titull: “Në fenë e të parëve”, të autorit Hajrudin S. Muja, botim i LOGOS-A.

Është libër që ia vlen ta mbash me vete, të pasurosh me të librotekën e shtëpisë dhe, mbi të gjitha ta lexosh duke kuptuar madhështinë e Islamit dhe fakte të mrekullueshme që dëshmojnë të kundërtën e propagandës së kukuvajkave me të zeza, që përherë kanë hedhur baltë mbi Islamin dhe muslimanët, siç vazhdojnë ta bëjnë edhe sot e kësaj dite, me plot devotshmëri ndaj pasionit të vjetër!?

Iu riktheva fabulës së pikënisjes së kësaj vepre, të shkruar me kurajo, dije e argumente historike, që duhen thënë e duhen dëshmuar ashtu siç janë!

Autori thotë kështu: “Kishte qenë njëherë një grua, e cila, në kohën e vet, e kishte braktisur fenë me të cilën ishte rritur dhe edukuar. Pastaj, kishte braktisur edhe radhët e ateistëve dhe i ishte bashkangjitur një feje tjetër. Mandej, sërish kishte filluar të bindej se e vërteta është në një tjetër fe. Kështu, saherë që ndryshonte, mendonte se kishte gjetur Zotin që kishte kërkuar; por, jo, prapë mbetej e pakënaqur! … Në fakt, gjendja e saj e brendshme ishte në kaos të vërtetë, e pavendosur dhe e dyshimtë. Ashtu e shqetësuar, pati dëgjuar për famën e një mësuesi, tek i cili vendosi të shkonte e të merrte ndonjë këshillë të vyeshme.

Pasi mësuesi dëgjoi historinë e saj të konvertimeve nga një fe në tjetrën, i tha: “Kthehu në shtëpinë tënde dhe unë do ta dërgoj më pas vendimin tim.”

Pas tri ditësh i erdhi një pako të cilën e dërgonte mësuesi. Brenda saj kishte një shishe qelqi, me tri shtresa rëre: të bardhë, të zezë e të kuqe, të cilat kishin qenë të shtypura me një shtresë ndarëse, për të mos u përzier. Nga jashtë, në shishe kishte shkruar: “Largoje shtresën ndarëse dhe shiko si dukesh.”

Ajo e largoi dhe përzjeu rërën në shishe. E gjithë ajo që i mbeti në duar ishte vetëm një grumbull rëre ngjyrë hiri, një mishmash i llojit të vet.”

Në fakt, kjo fabul personifikon shumë mirë gjendjen e brendshme të shumë të rinjve në realitetet shqiptare. Aq më shumë ata të rinj të pafajshëm, baballarët e të cilëve kanë pësuar një lavazh truri dhe një tjetërsim të dhunshëm të identitetit fetar në periudhën komuniste!?

Nuk kanë faj as sot, kur dhuna e kahershme e kohës së baballarëve, u modifikua gjenetikisht në propagandë të paskrupullt kundër Islamit dhe muslimanëve në trojet shqiptare; herë me të butë e herë dhunshëm, herë me hile e herë me lot krokodili…

Nuk kanë faj, jo, në këtë aspekt! Nuk kanë faj as se institucionet e Thirrjes Islame dhe personazhet e saj, vegjetojnë në një përgjumje dehëse dhe në një gjendje egoizmi xhahil, që nuk i lejon të shohin përtej majës së hundës!?

Nuk kanë faj, as për shumësinë e misionarëve, që sillen vërdallë me çanta lëkure, revista e broshura, që i mbajnë në gjoks, teksa hedhin hapat, herë si rrogëtarë, që mezi presin t’u mbarojë dita e punës, herë si manjakë, që të ngjiten nga pas, si rrodhja…

Por, të rinjtë e kohës tonë, e kanë një përgjegjësi, para Zotit e para vetes së tyre; atë të gjurmimit në thellësitë e shpirtit, për të gjetur cakun e udhëzimit, besimin, fenë, thirrjen e shpirtit, genin e familjes, pragun!

Të rinjtë e sotëm, nuk duhet të jetojnë në kriza mishmashesh, as të bien pre e këngës së kukuvajkave. Sepse, siç shkruhet edhe në “Zanin e Naltë”, të vitit 1925: “Populli musliman don me ndigju bilbilat e jo kukuvajkat. Se kukuvajkat n’até shtëpi qi këndojnë lajmërojnë gjëmën edhe rrënimin e saj.”

Imam Muhamed B. Sytari