“E mos u dobësoni dhe mos u dëshpëroni…”!

Ne muslimanët, sidomos në kohë përplasjesh, si këto që përjetojmë sot, (përplasje kulturore, fetare, politike, identitare, etnike, emocionale, ideologjike, por jo vetëm), e kemi për detyrë të ruajmë ritmet e Thirrjes Islame; të mos shpërqendrohemi nga qëllimet e saj. Si të thuash, jetën duhet t’ia kushtojmë Thirrjes Islame; shëndetin, pasurinë, aftësitë e dhuruara nga Zoti, intelektin, botën emocionale, adhurimet, marrëdhëniet sociale.

Në një dialog vlerash në mes dijetarit të shquar, Kryemyftiut të shkuar të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1913-2004) dhe një gazetareje hollandeze, Hoxha shkruan: “Europa sot, nuk është më ajo e djeshmja. Tashmë ka nisur të shkundë pluhurin e fanatizmit dhe të hapë sytë. Evropianët panë se Islami është fé e mendjes dhe e logjikës, e çdo gjëje të dobishme për njeriun, e çdo parimi të saktë, që mendja e shëndoshë pranon, e çdo morali dhe mirësjelljeje. Këto janë sihariqe, për të cilat pat shkruar edhe filozofi anglez Bernard Show, që thoshte, se: “Nuk do të kalojë një shekull, pa u përhapur Islami në çdo cep të Evropës, së bashku me gjuhën e dadit (arabishten)”.

Mëngjesin e xhumasë së shkuar më vizitoi një zonjë gazetare hollandeze, rreth të gjashtëdhjetave… Para dy vitesh kishte përqafuar Islamin, pas studimesh të lodhshme dhe të hollësishme. Pastaj kishte përkthyer kuptimet e Kur’anit në gjuhën hollandeze. Kishte përkthyer edhe katër mijë hadithe profetike dhe kishte nisur të ftonte popullin e saj në Islam.

Me dhjetra hollandezë përqafuan Islamin në duart e saj. Nuk u befasova, kur ajo më shprehu neverinë e saj karshi muslimanëve, sidomos pasi kishte vizituar shumë prej vendeve islame. Nuk u befasova nga neveria e saj për injorancën e shumë prej muslimanëve ndaj vetë fesë së tyre dhe largimin e tyre nga praktikimi i fesë dhe zëvendësimi i argumenteve të qarta me legjenda e iluzione.

Më përmendi hadithin: “Nuk do të bëhet kiameti, derisa të lindë dielli nga perëndimi i tij” dhe më tha: “Unë nuk e kuptoj ndryshe këtë hadith, vetëm se Evropa do ta përqafojë Islamin, me studim e kuptim, praktikim dhe dije, pastaj dielli i Islamit do të lindë nga perëndimi evropian drejt lindjes arabe dhe islame. Ia ktheva: Nëse në të shkuarën Islami kishte një diell, që lindi nga Lindja arabe, në kohën tonë, ai do të ketë dytë tillë; një diell nga perëndimi evropian dhe një diell nga lindja arabe dhe islame”…

Të dashurit e mi, m’u kujtua ky fragment i urtë nga jeta e Hoxhës së dashur dhe, pata dëshirë të ndaj me ju moralin e këtij dialogu, i cili frymëzohet nga ajeti kur’anor 139 i sures Ali Imran: “E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.”

Është një thirrje e shenjtë, që nuk duhet ta ndajmë asnjëherë nga jeta, pavarësisht dallgëve të imponuara të realiteteve përplasëse…

Imam Muhamed B. Sytari