Islami nuk ju urren, zotëri!

Para disa ditësh ndërroi jetë një burrë i nderuar, që në fjalorin e shoqërisë sonë quhet: “Zotni Shkodre”.

Shpeshherë e kam parë në xhami. Një burrë i qetë, i buzëqeshur, komunikues. Nuk e mbaj mend ndonjëherë jashtë kësaj kornize. Jemi përshëndetur disa herë, me shumë dashamirësi e respekt. Ai me buzëqeshjen e tij, me respektin dhe finesën e zotnillekut të tij, ka lënë gjurmë respekti e nderimi në kujtesën time.

Akoma sot, kujtimi i tij më sjell ndër mend hadithin profetik: “Ata që do të jenë më afër meje në mexhliset e ditës së kiametit, janë ata që kanë sjelljen më të mirë”.

Sepse, në të vërtetë: “Feja është mënyra e sjelljes”! (Dhe unë lutem me zemër që zotnia e tij, me atë buzëqeshje e natyrë të paqtë që karakterizohej në botën tonë, të ringjallet në ditën e kiametit)

Pikërisht, ky model esencial i marrëdhënies së muslimanit në shoqëri, është përgjigjja më e urtë praktike për krejt ata që frikësohen nga propaganda islamofobe dhe thonë: “Islami na urren!”.

E vërteta është se, shoqëria e jonë ka nevojë për modele frymëzuese të muslimanit-qytetar, atij që qytetarinë islame e ka në gen dhe di ta shfaqë edhe me heshtjen e tij, edhe me një buzëqeshje-sadeka, edhe me një gjest, edhe me një fjalë…

Realisht, shoqëria e jonë ka nevojë për prekjet begatuese të Islamit që e zbut natyrën njerëzore, që e bën njeriun, Njeri; i paqtë, paqtues, paqëbërës, dhurues i sigurisë me sjelljen dhe moralin e tij.

Shoqëria e jonë ka nevojë për njerëz me fytyra të qeshura, që hyjnë në xhami e dalin prej saj me fytyrë të qeshur, me nur besimi, me shenjat e prehjes, që konvertohen në mirësjellje e mëshirë për krijesat e Zotit në marrëdhëniet e përditshme, mbështetur në udhëzimin muhamedan: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllasë tënd është sadeka!”.

Shoqëria e jonë, përherë e më shumë ka nevojë për modelin e muslimanit, me mirësjelljen e të cilit zbulohen perdet e hirta të paragjykimit, dyshimet vrastare që mbushin kokat e njerëzve të zakonshëm, që nuk na kanë as u kemi asnjë borxh, përveç mirësjelljes dhe respektit për shkak të origjinës së përbashkët.

Modeli i zotnive muslimanë me fytyra të qeshura, më kujton shpesh fjalën e Zotnisë së bijve të Ademit, që thoshte: “Krijesat janë krejt nevojtare për All-llahun, më i dashuri i tyre për Të, është më i dobishmi i tyre për krijesat e Tij!”!

Dhe, unë mendoj se shoqëritë njerëzore sot, janë nevojtare për modelin e muslimanit; njeriut të paqtë, dhuruesit të sigurisë, shembullit në mirësjellje, ndërtuesit të urave të komunikimit, njeriut-NJERI, atij që pa paragjykim pret edhe terroristin e fshehur vrastar me buzëqeshje dhe me një: “Hello brother!” të sinqertë, ndonëse muslimani dhe terroristi qëndrojnë larg njëri-tjetrit, si vetë polet e kundërta..!

Islami nuk ju urren, zotëri!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 25 mars 2019