Damasku, qyteti i Jaseminës…

Rrugët e Damaskut mbajnë era jaseminë. Kudo që hedh hapat, kudo ku mbërrijnë vështrimet, aty shfaqet me bardhësinë dhe pastërtinë e saj imazhi i lules qelibar, që asnjëherë s’e humbet papërshkrueshmërinë e bukurisë së saj…

Nuk ka ditë që s’më thërret Damasku, nëpërmjet imazheve të jaseminës, veshur me petkun e stinës; krejt stinëve, që teksa shkrihen në bukurinë e saj, përhapin horizonteve të ditëve të krejt viteve të jetës eliksirin e saj, si pelerinë e padukshme bekimi…

Sokaku i vjetër i Kasijunit, rrugicat e Muhaxhirinëve, shatërvanet e Salihijes, banesat e Shalanit, vilat e Kefersusas, xhamitë e Mejdanit, lulishta e Abasijinëve, kudo në Mezze, Dummer, Xhober, Berze, Kabun, Shagur, Saruxha, Ruknuddin, tutje tregjet e vjetra të mbështjella me petkun e lashtë të shekujve plot qytetërim; krejt zbukuruar me jaseminë e zambakë të bardhë, si gurë të larë me ujin e parfumosur plot petale trëndafili, krijojnë mozaikun e papërsëritshëm të një qyteti, sa një jetë plot qytetërime që ngrihen mbi parfumin e emrit të saj…

Sa bukur e thotë poeti, në vargjet e famshme të kryeveprës së tij me titull: “Abdesi me ujin e ashkut dhe të jaseminës”:

Në Sham më ndryshon gjeografia e trupit,
Rruazat e gjakut tim bëhen të gjelbërta,
Abëcë-ja ime, e gjelbërt!

Në Sham, gjuhës time i del një gjuhë,
Zërit tim, i mbin një zë,
Gishtat e mi bëhen një kabile me gishta!

Hyj në safallekun e xhamisë Emevi,
I jap selam krejt të pranishëmve,
Gur-gur,
Pëllumb-pëllumb!

Shëtis në lulishtat e kaligrafisë kufite,
Këpus lule të bukura nga Fjala e All-llahut,
Dëgjoj me të dy sytë e mi zërin e mozaikut,
Dhe muzikën e tespihëve prej akiku!

Më përfshin një gjendje përshpirtjeje dhe këputjeje,
Ngjitem shkallëve të minares së parë që më del përpara,
Thërras:
“Hajje alel-jasemin”
“Hajje alel-jasemin”!

Sikurse shkruan:

Shëtis në rrugicat e ngushta të Damaskut,
Zgjohen sytë për të më dhënë selam,
Yjet veshin bylyzykët e artë dhe më japin selam,
Pëllumbat zbresin nga kullat e larta dhe më japin selam,
Macet e pastra shamite që lindën me ne, vijnë dhe më japin selam…

Nizar Kabani shkruante se rrugicat tuaja, i shtrenjti Damask, janë pastruar me abdesin e dashnisë dhe jaseminës… dhe, të drejtën thoshte, teksa thërriste: “Hajje alel-jasemin… Hajje alel-jasemin”!

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 27 mars 2019