All-llahumme..!

Kur ti lutesh, i drejtohesh Zotit tënd duke thënë: “All-llahumme…”, si të thuash: “O Zoti im…”.

Kjo fjalë në vetvete është një limit, që ngjan me një vorbull drite, si një miraxh dashnie në raport me Atë që e thërrasim në lutje: “All-llahumme…”! (Veç Atij i drejtohemi kështu! Sa madhështor është ky detaj! Është esenca e teuhidit në marrëdhënien e njeriut me Zotin e vërtetë të tanësisë!)

Është një kufi që të bën të ndjehesh afër, jo larg; familjar, jo i huaj; i mbrojtur, jo i braktisur; i vlerësuar, jo i përbuzur; i dashtun, jo i urryer!

Është limiti i një Dashnie të madhe që buron nga dëshmia hyjnore: “Kur të pyesin robët e Mi për Mua, UNË JAM AFËR, i përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai më lutet…”! (Sa herë përmendet rrënja e lutjes, si për të na konfirmuar se lutja është sekreti…)

Subhanallah, është i vetmi rast, kur nuk i thotë të Dashtunit të Tij: …Thuaj: Unë jam afër..! Sepse nuk ka nevojë që dikush t’i thojë njeriut se Zoti i tij është afër tij; Ai është, pa ndërmjetës!

Për të na falur garanci, për të na hequr ndrojtjen, për ta dëbuar hezitimin nga zemra, dyshimin nga arsyeja, për të na hapur derën në pritje, na dëshmon: “O robët e Mi! Ju gaboni natën dhe ditën, ndërsa Unë i fali krejt gjynahet! Prandaj më kërkoni falje, që Unë t’ju fali!”

“Natën dhe ditën”, sepse unë dhe ti, mund të jemi duke gabuar diku; unë (në Shqipëri) natën, ti (në një vend shumë larg meje, shumë larg) ditën, por në një frekuencë komunikimi! Të dy themi: “All-llahumme, All-llahumme…”, natën dhe ditën..!

Subhanallah, sa dashni e bujari të papërshkrueshme kanë këto dy thirrje: “O robët e Mi…”! Sa i përkëdhelur është njeriu, të cilin e thërret Zoti i tij çdo natë e çdo ditë, sepse don ta falë, don ta mëshirojë, don t’i thojë: “Robi Im”, don ta marrë për dore drejt më të mirës, don..!

Janë ftesat dhe thirrjet më të ngrohta që mund të marrë raca njerëzore! Rob i All-llahut në Fjalën e Tij!

“All-llahumme, unë të lutem të më dhurosh dashninë Tënde, dashninë e atyre që të duan Ty, dashninë e atyre, dashnia e të cilëve më vlen tek Ty dhe, dashninë e punëve që më afrojnë me Ty!”… Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 17/6/2019