
Kur drita e All-llahut të prek zemrën, nuk ka hije hutimi në botë që mund të pengojë zbukurimin e saj me përmendjen e Emrit të Madhnueshëm, që e lartëson qenien njerëzore në kufijtë e miraxheve të dashnisë së shumëpritur…
Mos e neglizho veten, mos thuaj: “Nuk më fal Zoti!”, mos e kënaq të mallkuarin, mos e humb rastin për t’iu përgjigjur thirrjes së Tij: “Lajmëroji robët e Mi se, Unë jam Falësi, Mëshiruesi”…
Dëgjova para ca ditësh një prej hoxhallarëve tanë, teksa fliste për namazin e sabahut dhe vlerën e madhe që ka zgjimi para kohës së ezanit.
Thoshte: “Ai që nuk zgjohet në sabah, nuk ka dashni në zemrën e tij! Ai që dashuron, nuk e lë takimin me dashninë e zemrës!”
Hape zemrën para flladeve të mëshirës hyjnore, shfrytëzoje kohën, mbushe me istigfar e dhikër, larg zhurmës e syve, larg egoizmit e tërheqjes drejt prozhektorëve..; para duarve të Zotit tënd, nuk ke nevojë për asgjë tjetër, përveç zemrës së përulur dhe vullnetit për t’u lutur: All-llahumme…
Prandaj, më e mira lutje, është lutja e Resulull-llahut (a.s.), që përkthen më së miri dashninë, si sekret të këtij rrugëtimi: “All-llahumme, unë të lutem të më dhurosh dashninë tënde…”, ajo është dashnia dhe rruga, drita dhe vizioni, çelësi dhe harta..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 19 qershor 2019