Një ditë e mbushur me dritë e shpresë…

“Mësoni për farefisin tuaj, që të ruani lidhjet, sepse ruajtja e lidhjeve farefisnore është dashuri në familje, begati në pasuri, jetëgjatësi!”.

Një hadith i mrekullueshëm, që trajtova sot me pjesmarrësit në kampin veror të shoqatës “Ardhmëria”, në Postribë, gjatë një këshille prindërore, të shoqëruar edhe me një bashkëbisedim të mbushur me shumë elementë të dlirësisë së vështrimeve, besimit dhe vrullit të një moshe, që ka gjetur mbështetje në një zemër të madhe!

Një atmosferë e mrekullueshme, rrethuar nga paqtimi, në mesin e një brezi të ri, që falë Zotit, rritet sot i lirë për t’u edukuar natyrshëm me besim e moral, me edukatë e disiplinë, me dashuri për fenë dhe atdhenë, me besimin e fenë e gjyshërve e baballarëve, që as sistemi i faraonit e ithtarëve të tij besnikë që e pasuan, nuk i ktheu nga rrugëtimi shekullor në kërkim të pëlqimit të All-llahut, nëpërmjet dëshmimit si muslimanë!

Ky brez, nëse do të jemi të vëmendshëm për t’ia bërë fenë të dashur, duke ia lexuar bukur e drejtë, duke ia komentuar pa komplekse e sforcime, duke ia dëshmuar me sjellje e moral; patjetër që do të jetë një garanci e madhe dhe një bekim i pamohueshëm për vendin, për shoqërinë, për familjen!

Angazhimi me këtë brez të ri; përkudesja ndaj tyre, ndjekja në vazhdimësi me një vështrim të urtë e largpamës prindëror, mbështetja e përkrahja në çdo hap të jetës, është në të vërtetë dëshmimi më i mirë që mund t’i bëjmë traditës së fortë të Resulull-llahut (a.s.), para duarve të cilit u edukuan një numër i madh djemsh të rinj, që e pasuan qysh të vegjël dhe nuk u ndanë më prej tij, as me kalimin nga kjo botë!

Përkujdesi për brezin e ri dhe investimi për edukimin e tij me moralin e besimit dhe të fesë, duhet të jetë ndër prioritetet e angazhimeve tona, duke mos u ndalur tek pragu i demagogjisë së askujt!

Sot, teksa po bashkëbisedoja me këta fëmijë të mirë të familjeve të mira e besimtare të Postribës, u mbusha me energji pozitive e dashni, sikurse u luta që All-llahu i Madhëruar t’i mbrojë nga çdo e keqe; nga humbja e kohës, nga vrasja e lirisë, nga neglizhenca në hak të edukimit të tyre, nga sprovat e realiteteve të hirta ku është përmbysur vendi, nga kriza e moralit, nga mbytja e mendimit, nga papjekuria në leximin e teksteve të fesë, nga predikues të nxituar e në marrëdhënie të izoluar me botën e jetën, nga rutina e një jete të lënë pas dore, por që vazhdon të shpresojë e, mbështetur në kufirin e besimit, të vështrojë drejt një të ardhmeje më të paqtë e më me dritë..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 25 qershor 2019