Prekje Damasku në një djep malli…

1.

E dua kaq shumë Damaskun, sa i fshihem mallit për të, për të mos e lënduar me paaftësinë time për t’i shkuar nga pas, ashtu siç e meriton. Por, në thelb, mbetem i dashuruar pas emrit DAMASK, historisë shumëshekullore, personazheve-çelës, parfumit e jaseminës damaskene…

2.

Nuk ka në botë si Damasku me bukuritë e tij, me lagjet e moçme, me xhamitë e lashta, me shpirtin e bujarisë, me frymën sufiste e mistikën e sokakeve të vjetra..!

Nuk ka në botë si minaret e Damaskut, as si ezani i tyre, as si mexhliset e dhikrit brenda xhamive, tubimet e dijes, respekti ndaj hoxhallarëve e nxënësve të tyre..!

Nuk ka si buka e Damaskut nga furrat e lagjeve; furrtarët punojnë gjithë natën. Që para ezanit të sabahut njerëzit gjejnë ragifet e nxehta të gatshme për mëngjesin tipik të këtij qyteti me erë jasemine dhe aromë kafeje..!

Nuk ka si uji i Damaskut; i pastër, i ftohtë, i rrjedhshëm, bekim, si Syri i Fixhës, që furnizon një qytet me burimin e tij të kulluar, prej të cilit ujiten kopshtet e bekuara të Gutas, mbushet gota e qelibartë që shoqëron kafenë e mëngjesit me një tufë jaseminash anash, në tryezën e shtruar në oborrin e lagur të shtëpisë së vjetër, zbukuruar me pemë e gjethe, të cilat jetojnë dashurisht në harmoni me rrezet e diellit e cicërimat e zogjve të sabahut shamí…

Nuk ka si Damasku dhe njerëzit e tij…

3.

Damasku ka tekat e veta, që realisht i shkojnë, ia shtojnë sharmin e bukurinë, aq sa nuk të bëhesh të jetosh pa tekat e tij, sikurse jasemina me petalet e bardha dhe gjethet plot jetë, që shpërndan eliksir shekujsh, që shitet shtrenjtë tregjeve të mbyllura të zemërmëdhenjve, që natën bëjnë ditë në kërkim të një shkronje..!

4.

Damasku, qyteti i dijes, dijetarëve, i Hoxhës. I miri Hoxhë. Sa më merr malli për të, sa jetim ndjehem pa zanin e tij, sa larg i rri idesë së kthimit në Damask, edhe për faktin se është mbyllur një derë që hapje me dritën e fytyrës së tij si Hane e plotë! Është tretur mundësia asaj telefonate, pas së cilës dëgjohej zëri i tij i mekur, i gëzuar, që më uronte mirëseardhjen! – “Zotëria im, erdha në Damask! Kur mund të vij për vizitë?”… Nuk vononte takimi e bota shkrihej para duarve të Mësuesit të Udhëzimit…

Subhanallah, e çfarë vlere ka një vend, pa njerëzit e tij? E, si mos ta dua një vend, që më lidh me dashnitë e zemrës, edhe kur të zotët e tyre nuk janë më?!

5.

Në tavafet përreth Qabes së Madhnueshme, grupet nga qytetërimi i jaseminës, bëjnë nishan. Pavarësisht se krejt janë të barabartë në këtë vend, ata sërish dallojnë, si në çdo fushë të jetës!

Dallojnë, të veshur me petkat e bekimeve të Resulull-llahut (a.s.): “All-llahumme na e begato Shamin tonë!”.., lutje, që përmbledh në vetvete mirësitë e krejt kësaj bote për tokën e bekuar dhe njerëzit e saj..!

6.

Nuk ka në botë si Damasku..! Nuk ka si jasemina..! Nuk ka si burimi i Fixhës në luginën e Beredasë..! Nuk ka si kafja e mëngjesit në oborrin shamit..! Nuk ka si safalleku i xhamisë së madhe të shekujve të lavdisë…

7.

Damask… Frymë… Shekuj… Kujtime… Zambak… Minare… Krenari…

Imam Muhamed B. Sytari

Mekë, 8 gusht 2019