Kujtime (2)

Para shumë vitesh kam njohur në Damask një mik të madh. Prej atyre burra, për edukimin e të cilëve kujdeset tabani familjar, rrethanat, geni i shëndoshë, jeta. Prej atyre që rrezatojnë urti e fisnikëri, edhe në heshtje. I tillë ishte (është) Aga.

Shtëpia e tij ishte strehë e nevojtarëve, njerëz në konflikt i trokisnin në derë për të marrë një zgjidhje e drejtim. I dëgjohej fjala dhe kishte respekt ndër banorë të lagjes, por edhe përtej tyre. Me pak fjalë, ishte i urti i lagjes, hakimi që duhej pyetur e konsultuar, kur krejt dyert ishin mbyllur e shpresat gati-gati ishin shuar për një zgjidhje të mundshme.

Njeri me humor të hollë dhe shumë karizmatik. I urtë sa s’ka më! Besimtar në gen, fjalëmirë, lexues i rregullt i realiteteve dhe i aftë për t’i gjetur një a disa vargje, secilit prej tyre.

Një ditë po hanim drekë. Aga nisi të fliste për besnikërinë. Tha: “I dashtun, besniku edhe varfërohet edhe pasurohet, edhe lumturohet edhe lëndohet, edhe bie edhe ngrihet, por, nëse e humb besnikërinë e tij, i ka humbur krejt mirësitë, edhe nëse ka botën me vete!”.

Mekë, 11 gusht 2019