Kujtime (3)

Ishte dimër turk. Soba me dru në dhomën ku ndodheshim më kujtonte fëmijërinë, kur shpesh zgjohesha herët me gjyshin, për të ndezur shporetin.

E kujtoj si tani momentin, kur më qëndronte mbi kokë, më udhëzonte për vendosjen e ashklave, në mënyrë që ndezja të ndodhte me të parën. Kishte durim edukatori, gjyshi!

Ishin kohë e kushte tjera, por ishte prania e gjyshit, e nanës, sa për tanë botën…

Haxhiu i moshur po më fliste me shumë respekt. Ishin vitet e para pas diplomimit tim. Kur thoje se ishe diplomuar në Sham Sherifë, nuk po thoje pak! Njerëzit me formim anadollak (jo sipas përkthimit komunist të fjalës në fjalorët tanë), kanë respekt për hoxhën e studiuesin e dijes.

Papritur, teksa po kuvendonim për çështje të besimit e fesë, në bisedë u fut edhe dikush tjetër jo i fushës, (tamam siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe sot në Shqipëri me çështjet e fesë, që nga nëntori “i lavdishëm” i vitit 1990..!?), madje me insistim.

Për respekt të zotnisë së moshuar, unë nuk fola, edhe pse mund të flisja shumë, por s’kisha pse…

I zoti i shtëpisë, duke e kapur situatën në dorë, me një të qeshur prej njeriu të urtë, tha: “Kështu ndodh, kur veshi bëhet gjuhë!”…

Mekë, 12 gusht 2019