Kujtime (4)

Në një drekë dasme, tek një miku ynë i mirë në Tetovë, bisedat ishin përqendruar brenda temave të familjes, marrëdhënieve burrë-grua, vlerësimit që i bën Kur’ani martesës, poashtu hadithet e shumta, shembuj nga jeta e të shkuarve, eksperiencat e largëta të regjistruara në libra e ato të afërta, të përjetuara personalisht.

Fatmirësisht, isha ulur ngjitur me njërin prej ekspertëve më të afirmuar të gjurmëve të Resulull-llahut (a.s.), kështu që kisha rastin e mirë të dëgjoja e të përfitoja, si para duarve të një mësuesi të urtë.

Në bisedat tona të asaj tryeze të begatë, ai tha një fjalë të madhe: “Kur u martova, Hoxha më mësoi dy fjalë, falë të cilave kam kaluar 40 vite martesë pa asnjë zënkë me gruan time.

Tha: Biri im, nëse do të ndodhë nesër që gruaja jote nuk do sillet mirë me ty, ti vrapo për tek nëna jote, gëzoje e merre me të mirë. Çoji një dhuratë e kënaqe zemrën e saj! Me siguri do të kesh gabuar diku në hak të nënës tënde!

Poashtu, kur të bëhesh babë, nëse yt bir të mungon respekt, ti vrapo drejt babës tënd, gëzoje e nderoje, merre me të mirë e çoji ndonjë dhuratë. Me siguri do të kesh gabuar diku në hak të babës tënd!”.

Mekë, 12 gusht 2019