Kujtime (5)

Kam lexuar me shumë vëmendje librin e ribotuar disa herë të gazetarit sirian Imad Neddaf, me titull: “Shejkh Ahmed Keftaro flet…”, ku i ka bërë një nder të madh lexuesit duke i vënë para duarve mendimet dhe analizat largpamëse të Shejkhul-Islamit të kohës së tij, Kryemyftiut të Sirisë, zotërisë tonë, Shejkh Ahmed Keftaro.

Ka një moment, kur Hoxha flet për “ymmetin një miliard e gjysëm muslimanë” dhe, në bashkëbisedimin e tij me autorin e librit, ndër të tjera thotë një të vërtetë të madhe: “Këta një miliard e gjysëm janë dakort në 90% të çështjeve të fesë së tyre. Kushtet e Besimit, tek mbarë ymmeti janë: besimi në All-llah, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij dhe në jetën e përtejme. Edhe kushtet Islamit, poashtu: dëshmia se nuk ka zot tjetër, pos All-llahut dhe se, Hz. Muhammedi (a.s) është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi. Këto janë çështje konsensuale në mesin e muslimanëve!

Bota perëndimore ka divergjenca në njëmijë fytyra; në kulturë, në gjuhë, në etni, në fé etj, por kapet fort pas asaj që konsiderohet si pikë konsensuale, për realizimin e interesave!?

Pra, çudia e çudive është me një ymmet, që ka të përbashkët kiblen, adhurimin, Librin e Zotit, traditat e të dërguarit të vet, pastaj nuk gjen rrugët e mjaftueshme drejt realizimit të unifikimit të tij!?

E kam deklaruar edhe më parë, në qëndrime të shumta, se jam kundër termit “afrim medhhebesh islame”; sepse afrimi ndodh në mesin e të larguarve dhe pakësimin e divergjencave në mesin e armiqve!? Dhe, unë ndjej se, kjo gjë nuk përputhet me medhhebet islame, të cilat bien dakort në më shumë se 90% të qëllimeve, objektivave dhe mjeteve të tyre. Unë mendoj se afrimi, është një fazë e tejkaluar prej kohësh!

Unë thërras për unifikimin e plotë në mesin e muslimanëve, në rrafsh intelektual, edukativ, në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes, në krahët e ajetit kur’anor: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani!” – (Kur’ani, Ali Imran: 123)”.*

Mekë, 14 gusht 2019

_____________________

* Imad Neddaf, “Esh-Shejkh Ahmed Keftaro jetehaddeth”, botimi i dytë, Damask, 2003, f. 312-313.