Kujtime (6)

Medina e Ndriçuar është tokë historie dhe udhëzimi. Kudo ku hedh vështrimet, ka një gjurmë. Është gjurmë që të frymëzon. Janë gjurmë që të zgjojnë.

Kudo gjen një shkak për të kuptuar madhështinë e kësaj feje të begatë islame! Kudo ka gjurmë mirësie, që dëshmojnë për sakrificë të pashembullt të ndërtuar mbi vullnete burrash, për të cilët dëshmon vetë Kur’ani Famëlartë.

Kudo ndjen se e mira, krejt e mira, është derdhur në këtë vend, duke e mbuluar me bujari e paqe, me pastërti e besim, që preket kudo e me këdo!.. “Ky vend e zbut inatin!”, më tha sot, Haxhi Isaja, njëri prej burrave të urtë të grupit tonë, teksa po më fliste me pasion për mbresat e tij të fituara nga kjo vizitë e parë në Medinen e Ndriçuar. (E kujt nuk i vezullojnë sytë, kur flet për Medinen e zemrës?).

Mbrëmë vizituam kopështin e hurmave, ku 15 shekuj më parë, katragjyshërit e medinelive të sotëm, mirëpritën Resulull-llahun (a.s.), duke i hapur zemrat, para dyerve të shtëpive të tyre. Ndonëse ishte natë, mbretëronte një qetësi e jashtëzakonshme,

Pashë nga afër bunarin e vjetër, ku kishte pirë ujë i Dërguari i All-llahut (a.s.). Edhe unë piva nga ai ujë, shija e të cilit ndryshonte nga ajo e krejt burimeve, që kam shijuar në jetë. Të zotët e kopështit patën mirësinë të na jepnin edhe prej fruteve të axhvasë, hurmave të përmendur në hadithin e saktë, që dëshmon për vlerat e tij të mrekullueshme. Hurmat e ujitur nga burimi i Resulull-llahut (a.s.)…

Sot, rastësisht u prezantuam me një ensarit vendali. “Jam medineli, prej ensarëve, brez pas brezi.., jam nip i Hz. Sa’d ibn Ebi Vekkasit… E njihni Hz. Sa’din?”, tha, duke më vështruar në sy. Ia ktheva: “Hz. Sa’d ibn Ebi Vekkas (radijall-llahu anhu)… Lutu për mua!”. Më vështroi me një shikim të fortë e paqësor, pastaj u lut, si dikush që e ka në gen bekimin e lutjes së trashëguar nga Gjyshi i madh, ndërsa unë thashë: Amin!.., me një kënaqësi të madhe në zemër, që u gdhend në murin e kujtimeve të Medines…

Medina e zemrës, Medina e jetës! Vendi, ku gjen strehë malli i zemrës, drita e syrit, qetësia e shpirtit, lutja e natës, vrulli i ditës… Medina..!

Medine, 18 gusht 2019