Kujtime (8)

Rrugës nga Londra për në Prishtinë, ditën e xhuma të 30 nëntorit 2018, ishim ulur së bashku me të nderuarin, studiuesin dhe teologun tetovar, Sali Shasivari, kur biseda na mori drejt kohëve të studimit në Damask të Sirisë.

Diku në periudhën e fundshekullit të kaluar, kishim jetuar në vendin e begatë të dijes dhe dijetarëve, kishim frekuentuar edhe mexhlise të njëjta të dijes, ndonëse nuk ishim takuar… Krejt pa menduar u ulëm përkrah njëri-tjetrit në botën e memories damaskene, teksa udhëtonim së bashku në një ditë të zakonshme dimri, si ditët e begata të dimrit shamit…

Kujtimet e rinisë së parë mbeten përherë momente të spikatura, ecejake dhe stacione, në thelbin e të cilave struket e ardhmja e jonë dhe tiparet e saj.

Ato, sado të largëta qofshin, ruajnë në përmbajtjen e tyre esencën e urtësisë së kaderit tonë, detajet përbërëse të personalitetit dhe formimit të tij, mundin dhe sakrificat, kthesat e spikatura dhe shkëndijat e udhëzimit drejt dritës së jetës dhe misionit, për të cilin punojmë dhe i shërbejmë më pas, për aq sa të na jetë caktuar të jemi në këtë botë…

Atë ditë kujtuam së bashku emra dijetarësh, shkollash e edukatorësh, që në vetvete ishin dhe ngelën pjesë e pandarë e identitetit të një qyteti sa një histori e pasosur dhe një jetë e pamatur qytetërimesh e civilizimesh, që lidhen e zgjidhen përreth këtij emri të shtrenjtë.

Shkodër, 24 gusht 2019