Vizitoni varrezat, mos kini frikë nga vdekja!

Vizitoni varrezat herë pas here, ju bën mirë, ju nxit të mendoni e të reflektoni rreth vetes, jetës, të sotmes e të ardhmes, për shumëçka ju bën mirë!

Sot, shkova në varreza. Ashtu pata dëshirë të shkoj, pa ndonjë angazhim konkret. Kë nuk pashë. Kë nuk njoha. Shumë nuk njoha e shumëkujt i lexova emrin për herë të parë. Eca ndër rreshta mendueshëm. Sa djathtas-majtas, rendi s’ka fund. Të rinj, të reja, pleq, plaka, njerëz me ëndrra e të tjerë, që ëndrrat i bënë realitet, të zhgënjyer nga kjo botë, të lumtur në përkohshmërinë e saj, të hutuar e të bindur, besimtarë e haxhilerë, imamë e muezinë, inxhinierë e sportistë. Edhe mjekë e hoxhallarë kishte. Subhanallah, sa e çfarë nuk kishte aty..!?

Në ecje lexoja ajetin 8 të sures “El-Xhumua”: [Thuaj: “S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar”]… Dukej se krejt peronat që më fiksonin nëpërmjet fotografive të vulosura në mermer, më thonin me gjendjen e tyre: “Të vërtetën ka thënë Zoti ynë!”, edhe pse njerëzit harrojnë e hutohen…

Vizitoni varrezat, mos ngurroni të shkoni pranë atyre që s’janë më në mes nesh! Kujtimi i mirë i atyre që s’janë, i bën mirë zemrës. E zbut. E kthjellon. E frymëzon dhe e mbush me atë frikë legjitime, që asaj i jep jetë! E ujit me kujtimin e të dashurve që s’janë, miqve që i mungojnë, të panjohurve që ia shtojnë bindjen se, sado që të zgjasë kjo jetë e përkohëshme, aty është kthimi..!

Vizitoni të kaluarit nga kjo jetë dhe kthehuni në përditshmërinë tuaj me zemër të penduar. Para duarve të Zotit fillimisht, tek i Cili është kthimi garant i secilit. Para njerëzve të zemrës, të afërmve, familjarëve, miqve e shoqërisë.

Hapni zemrën njëri-tjetrit, falni e toleroni, paqtoni e mos mbani mëri e zili, hasmëri e përbuzje ndaj askujt. Nata dhe dita janë sinjale të përhershme për secilin, deri një ditë, pas së cilës, cilido prej nesh do kthehet vetë në një sinjal, si portretet e heshtura në varrezën e madhe të qytetit tim…

U ndala pranë një parcele, ku punohej. Iu afrova një varri të ri, gropa e të cilit sapo kishte përfunduar. Punonjësi i shërbimit, nga brenda më dha selam. Ia ktheva. E pyeta për punën që bën. Më tregoi se një gropë varri është e thellë 1 metër e 10 cm. Hapet për tri orë… Varrmihësi më futi në mendime… Aty do shtrihem edhe unë një ditë. A do jetë e afërt, apo e largët ajo ditë? Sot, për mua kjo nuk ka asnjë rëndësi. Ajo që vlen është më e rëndësishme se të qahemi për moshën, për rininë, për të dashurit e pasurinë, a thua se kjo botë është stacioni ynë final..!?

E rëndësishme është të jetuarit me Zotin e tanësisë, me rregullin e Tij, me udhëzimin e Tij, me dritën dhe, mbi të gjitha, me dashninë e Tij!

E rëndësishme është të kuptuarit drejtë të dëshmisë hyjnore: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” – (Kur’ani, Ez-Zelzele: 7-8).

Vizitoni varrezat dhe hapjani dyert njëri-tjetrit, mos u ngushtoni në zemër, mos ia thyeni zemrën dikujt, mos bëni padrejtësi, mos shkelni të dobëtit, ndihmoni të pamundurin, ushqeni të uriturin, shpenzoni për familjen e farefisin dhe mos e lejoni shejtanin t’jua bëjë këtë jetë të shkurtër sprovash, vdekje e varr..!

Vizitoni varrezat herë pas here, ju bën mirë, ju nxit të mendoni e të reflektoni rreth vetes, jetës, të sotmes e të ardhmes, për shumëçka ju bën mirë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 7 shtator 2019