Falje nga toka, mëshirë nga qielli..!

“Unë u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë”. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk…” – (Kur’ani, Nuh: 10-11).

Mjafton të meditojë njeriu në mirësinë e këtij fenomeni të mrekullueshëm, që i jep frymë e jetë natyrës, tokën e gjallëron e krijesat i fresko, për të kuptuar me prekje dashnie e përuljeje ndaj Zotit, madhështinë dy ajeteve të lartpërmendura nga sureja e Hz. Nuhut (a.s.) dhe lidhjen e tyre në mes vete! Reshjet e shiut, si bekim e sinjal pastrimi e udhëzimi!

Në librat e tefsirit lexojmë se në kohën babait të dytë të njerëzimit, Hz. Nuhut (a.s.), shoqëria e humbi fillin e dritës e atë të udhëzimit. U dhanë pas tekave e epsheve, u zhytën në korrupsion e imoralitet, zhvatën e plaçkitën, gënjyen e mashtruan, ndonëse në mes tyre jetonte një i dërguar i Zotit, që përherë i tërhiqte vëmendjen, i ftonte në besim e udhëzim, i qortonte dhe i paralajmëronte se, rruga e hutimit dhe e neglizhencës ndaj Fjalës së Krijuesit dhe udhëzimit të Tij, nuk e lartëson njeriun në këtë jetë, as e madhëron shfaqjen e tij, si mëkëmbës i përzgjedhur i Zotit për të ndërtuar jetën mbi tokë, por.., nuk dëgjuan, i kthyen shpinën, zunë veshët me duar për të mos e dëgjuar ligjërimin e tij..!?

Talleshin e përçmonin… E fyenin dhe e dëbonin.., deri një ditë, kur dikush u kujtua të trokiste në derën e të Dërguarit…

Kishin kaluar dyzet vite, që shterpësia e grave desh e humbi atë popull. Thatësira u bë e padurueshme, shkatërrimtare. Lumenjtë u thanë e bagëtia shkoi.

Atëherë, i durueshmi Nuh (a.s.) iu drejtua popullit të vet me këto fjalë të shpallura: “Unë u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë”. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj. Ç’është me ju që All-llahut nuk i shprehni madhërinë që e meriton? Kur Ai ju krijoi në disa etapa. A nuk e keni parë se si All-llahu krijoi shtatë palë qiej (në kate). Dhe në ta hënën e bëri dritë, diellin e bëri ndriçues. Dhe All-llahu u shpiku juve prej tokës si bimë. Pastaj ju kthen në të, pa dyshim ju nxjerr sërish. All-llahu juve ua bëri tokën të sheshtë. Që nëpër të të ecni rrugëve të gjera”. – (Kur’ani, Nuh: 10-20).

Fare pak e lexuan si duhet mesazhin hyjnor; u penduan, u kthyen, falënderuan, ndryshuan jetën dhe shpëtuan zemrat nga vulosja me damkën e devijimit e shthurrjes… E, shumica zgjodhi një rrugë ndryshe, fundi i së cilës ishte i pashpresë!

Subhanallah, si është njeriu! Sa shpejt harron veten, familjen e tabanin! Sa shpejt harron origjinën, prejardhjen, Zotin! Sa shpejt hutohet e prish rendin..!

A nuk duhet të mendojë njeriu se si ndodh afrimi e bashkimi i reve, si funksionon reaksioni që krijohet deri në shkaktimin e nisjes së reshjeve, po format e larmishme të reshjeve: herë piklina e herë me furi, herë të ftohta e herë jo, herë lokale e herë gjithëpërfshirëse..?

A nuk duhet të ndjejë çdo pikë uji që zbret nga qielli, si një prekje mëshire e bekimi, që Krijuesi na dërgon, si për të na thënë se pendimi i dikujt, falja e kërkuar, përkushtimi e durimi në rrugën e Tij është pranuar?

A nuk duhet shijuar çdo piklinë e heshtur që zbret e pastër nga qielli, si një dhuratë dashnie, prej atyre që pranohen me zemër e shpirt, që nuk kthehen, as diskutohen, sepse përkunden në një djep Dashnie, që nuk njeh lëkundje, as tërheqje, as mëdyshje, as..?

Sot, bie shi. Tingujt që shkaktohen nga kontakti i tij me tokën, sikur shkruajnë mbi partiturat e heshtura të kësaj shfaqjeje madhështore: “Falje nga toka, mëshirë nga qielli”…

Si për të na ftuar përherë drejt reflektimit; pendimit e kthimit nga Zoti ynë, tek i Cili nuk ka zhgënjim, as dëshpërim dhe, nga i Cili pritet përherë mëshira dhe bekimet e grantuara, dyert e të cilave i hap kërkimi falje me zemër dhe vullneti për të ndryshuar drejt Tij…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 23 shtator 2019