Kujdes nga shprehjet e shirkut..!

Adhurimi i All-llahut dhe mosbërja shirk Atij, është kushti i parë në rrugëtimin e besimtarit drejt xhenneteve!

Adhurimi, që të jetë i shëndoshë, duhet që fillimisht njeriu ta njohë Zotin e tij, të mësojë për cilësitë e Tij dhe mos të neglizhojë në hak të dijes më të rëndësishme në jetë! Si pretendon të jesh besimtar, kur nuk e njeh Zotin Tënd, cilësitë e Tij, emrat e Tij të bukur, me të cilët na është prezantuar në Librin e Tij Famëlartë?

Nga ana tjetër, lypset që njeriu të ruhet nga shirku; qoftë me dije e dashje, ose pa dije e pa dashje! Për këtë, edukatorët tanë na kanë mësuar këtë lutje, për ta bërë sa më shpesh: “All-llahumme, unë kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos bëj shirk me diçka që e di dhe të kërkoj falje për ç’ka nuk e di!”.

Ka shumë njerëz sot, që trashëgojnë në komunikimin e tyre të përditshëm shprehje e fjalë, nga e kaluara e periudhës ateiste; shprehje e fjalë që kanë në thelb të tyre fjalën “Zot” dhe që janë shirk i pastër, përveç se tregues i mungesës së edukatës në hak të Krijuesit!

Dëgjova një ditë njërin që thoshte: “S’e merr vesh as …” dhe ia atribuonte këtë lajthitje Zotit të gjithësisë, i Cili është i Plotdijshëm për gjithçka e gjithkënd, para se ata të ishin!

Dikush tjetër i atribuon Zotit, bir, teksa shprehet: “As Zoti, as …”! Në Islam, ky është shirk dhe shirku është “padrejtësi e madhe”, siç i thoshte Llukman Hakimi të birit!

Shpesh i dëgjojmë këto shprehje edhe nga besimtarë të rinj, që i përdorin këto shprehje, si pa të keq. Duhet të tërheqim vëmendjen e dëgjuesit dhe lexuesit musliman që të ketë kujdes në këtë pikë, shembujt e së cilës nuk përkufizohen veç me këto shprehje, por edhe me shumë të tjera, që për etikë, nuk do i përmend!

(Nga dersi i akshamit, sot, më 26/9/2019 në xhaminë e Tophanës)