Rreth borxhit nga këndvështrimi islam

Hadithi i kësaj mbrëmje ka një vlerë shumë të madhe, si rregullator në marrëdhëniet tona financiare me të tjerët. Bën fjalë për borxhin dhe shlyerjen e tij.

Resulull-llahu (a.s.) na mëson se: “Më të mirët ndër ju janë ata që më së miri e shlyejnë borxhin!”, siç e transmetojnë Tirmidhiu dhe Nesaiu, nga Hz. Ebu Hurejra (r.a.).

Fillimisht, duhet të dijmë se ajeti më i gjatë në Kur’an është ajeti i borxhit. Subhanallah, një ajet, një faqe e plotë nga Kur’ani Famëlartë. Ajeti 282 i sures “El-Bekare”, plot 15 rreshta!

Sepse borxhi në Islam është çështje shumë serioze. Ka të bëjë me hakun e tjetrit, i cili është i shenjtë! Ai që merr borxh për të kapërcyer vështirësinë e tij, le të mendojë më herët se si do të shlyejë borxhin, jo të neglizhojë e të bëjë gjumë të qetë, duke mos u trazuar për borxhin që ka!

Imam Nesaiu transmeton nga Muhammed ibn Xhahsh (r.a.), i cili tregon: Po rrinim me Resulull-llahun (a.s.), kur në një moment, ai ngriti kokën nga qielli, pastaj vendosi dorën mbi ballë dhe tha: “Subhanallah, sa gjë e rëndë që ka zbritur!”. Ne heshtëm dhe u trembëm.

Të nesërmen e pyeta: O i Dërguar i All-llahut, çfarë është ajo gjë e rëndë që ka zbritur? Tha: “Pasha Atë, që e ka shpirtin tim në dorën e Tij, sikur një person do ta jepte jetën në rrugë të All-llahut, pastaj do të kthehej në jetë, pastaj sërish do ta jepte jetën, pastaj do të kthehej në jetë, pastaj sërish do ta jepte jetën dhe do të kishte një borxh, nuk do të hynte në xhennet, pa u shlyer borxhi i tij!”.

Sa e sa miqësi janë prishur për shkak të një borxhi? Sa e sa njerëz kanë kaluar nga kjo botë nga brengat dhe pasojat e borxheve? Sa e sa të papërgjegjshëm mashtrojnë duke marrë borxhe për të luajtur kumar, duke mashtruar e gënjyer prindërit, familjarët, rrethin e ngushtë e miqësitë? Sa e sa familje janë prishur nga pasojat fatale të parave të marra ndër kriminelë që japin borxhe me fajde, duke u zhytur në llumin e kësaj ndalese (borxhit me fajde) dhe janë shkatërruar!?

Prandaj, të lutemi që All-llahu i Madhëruar të na ruajë nga papërgjegjshmëria dhe na udhëzoftë drejt asaj që është më e mira në çdo vepër tonën!

(Nga dersi i hadithit, pas namazit të akshamit të kësaj dite, më 28/9/2019, në xhaminë e “Dy Vajzave”)