Më i miri ndër muslimanë…

Sot, është koha që muslimanët të interesohen për njëri-tjetrin, të kërkojnë për njëri-tjetrin, ta mbështesin njëri-tjetrin, ta ruajnë njëri-tjetrin, të dëbojnë nga shoqëria e tyre të gjithë elementët e përçarjes, ndasitë dhe hidhërimet, që shkaktojnë prishje të ekuilibrave të vëllazërisë së shenjtë, për të cilën bën fjalë Kur’ani Famëlartë në disa vende.

Hadithi i sotëm: “Më i miri ndër muslimanë është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit, janë të shpëtuar muslimanët”, na nxit drejt vlerësimit të shoqërisë sonë islame, si bashkësi dhe komunitet vlerash, por njëkohësisht na thërret të ruajmë gjuhën dhe dorën, si metaforë e drejtëpërdrejtë e ftesës për të jetuar në imunitet të plotë dhe larg çdo tendence për të prishur madhështinë e vëllazërisë islame.

Argumente të shumta na ftojnë të distancohemi nga urrejtja në mes vete, nga zilia, nga konkurenca e pandershme, nga komplotet në dëm të njëri-tjetrit, etj.

Ky hadith është njëkohësisht një ndër argumentet më të përdorur, sidomos në kohërat kur propaganda islamofobe buçet shurdhueshëm gjithandej, duke njollosur Islamin dhe muslimanët me çfarë nuk është e drejtë, as e vërtetë!

Është një thirrje e shtrenjtë nga zemra e Pejgamberit (a.s.) për të kuptuar se vetëm duke u bashkuar e duke mënjanuar divergjencat përçarëse, ky ymet i madh islam do të rikthehet tek lavdia e shekujve plot drejtësi e tolerancë!

(Nga dersi i sabahut, më 30/9/2019 në xhaminë e Parrucës)