Në Islam, atë që e bën, bëje me përkushtim..!

Hadithi: “Më të mirët ndër ju para Islamit, janë më të mirët ndër ju edhe në Islam, nëse e kuptojnë fenë”, na jep të kuptojmë se në fenë islame vlerësohet njeriu për përmbajtjen e tij dhe për atë çfarë prodhon.

Fjala bie, dikush thotë se, kishte hyrë në Islam një amerikan. Kjo nuk do të thotë asgjë. Ndërsa, kur dëgjojmë se kishte hyrë në Islam një fizikant i shquar nga Amerika, kjo po që do të thotë diçka!

Kemi të bëjmë me një fizikant. Atëherë, në bazë të këtij hadithi i bie që fizikantët më të mirë para Islamit, janë fizikantët më të mirë edhe në Islam, nëse kuptojnë edhe fenë. Që do të thotë se, tani na del për detyrë që fizikantit me i mësu fenë. T’ia prezantojmë sa më mirë fenë! Dhe fizikanti, ashtu siç i ka shërbyer shkencës deri dje, kur ishte Mark a Simon, kështu do të vazhdojë t’i shërbejë shkencës dhe njerëzimit edhe sot që është Ali a Ahmed!

Ne e kemi për detyrë t’i themi atij se feja islame nuk e privon atë nga dija e shkenca dhe se nuk e nxit të izolohet në xhami e të heqë dorë nga kërkimet shkencore! Sepse Islami nuk është feja e mbylljes së horizonteve të jetës!

Kur flasim për këtë hadith, flasim për aftësitë individuale dhe nxitjen që i bën Islami përsosjes së tyre nëpërmjet mendësisë fetare!

Sepse, ajo që duhet të nxisim dhe ta themi fuqishëm para të gjithave dhe pas të gjithave është ai rregull, që e përmendim shpeshherë dhe që është esenca e fesë islame: “Bindja ndaj urdhërit të Zotit dhe mëshira e dhembshuria ndaj krijesave të Tij!”. Për këtë ka ardhur Islami! Pra, bindja ndaj All-llahut dhe dobia për njerëzimin!

Islami e nxit njeriun të ecë përpara, të thellohet deri në përsosje të asaj që bën, me qëllim rrezatimin e të mirës dhe të dobishmes për veten, shoqërinë, njerëzimin!

Resulull-llahu (a.s.) thoshte: “All-llahu kërkon nga robi i Tij, që kur të bëjë një punë, ta përsosë atë!”.

Pra, në Islam, atë që e bën, bëje me përkushtim, me dashuri, me nijet që të sjellë dobi për të tjerët, me përgjegjësi dhe të jetë e përsosur!

(Nga dersi i akshamit, më 5/10/2019, në xhaminë e “Dy Vajzave”)