Zekati, sekret i mirëqenies…

Kur flasim për zekatin, kemi parasysh një ndër rrugëtimet më garante që e afrojnë njeriun besimtar me Zotin e tij, Krijuesin e gjithësisë!

Kur ndalemi tek zekati, fillimisht duhet të kuptojmë se 2/5 e shtyllave të Islamit ndërtohen mbi punën e palodhshme, fitimin e ndershëm dhe pasurinë!

All-llahu i Madhëruar na e ka bërë të qartë në ajetin 60 të sures “Et-Teube” se kush janë kategoritë e njerëzve, të cilët meritojnë të ndihmohen e të përkrahen nga zekati.

Thotë, Madhëruar qoftë: “All-llahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të mjerëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e All-llahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.”!

Ky ajet kur’anor hap para syve tanë vizione të shumta, që na frymëzojnë drejt fuqizimit ekonomik nëpërmjet shfrytëzimit të kohës, rinisë, aftësive, përvojave dhe pasurisë edhe në drejtim të eliminimit të varfërisë dhe skamjes në mesin tonë.

Me fjalë të tjera, aty ku ka besimtarë muslimanë, që lexojnë drejtë ajetin e zekatit, aty ka zhvillim ekonomik, punë të palodhshme, fitim të pastër dhe zhdukje të varfërisë, mjerimit, borxheve, skllavërisë e krimit!

Praktikimi i shëndetshëm i zekatit, si sekret i mirëqenies, garanton harmoninë në komunitet, shkrirjen e shtresave dhe diferencave të mëdha në shoqëri, si dhe edukon nefsin e besimtarit me bamirësinë, altruizmin dhe solidaritetin e vazhdueshëm me skamnorin, me qëllim shërimin e lëngatave të tij!

(Nga dersi i akshamit, më 3/9/2019, në xhaminë e Tophanës)