Që feja e fetarizmi të mos kthehen në opium…

Çfarëdo që të kesh bërë në jetë, sado i madh të jetë gabimi a gjynahu yt, mos hezito të trokasësh në derën e Krijuesit tënd për të kërkuar falje, i penduar dhe me vullnetin për t’u kthyer!

Askush nuk ka të drejtë të privojë lutjen dhe kërkesën tënde drejtuar Atij, që di gjithçka për krijesën e Tij!

Askush nuk ka të drejtë ta tregojë tjetrin me gisht, sado të ketë gabuar në hak të Zotit të tij, nëse ai ka vendosur të kthehet e të rrugëtojë drejt All-llahut të Madhëruar, me pendim e sinqeritet!

Në tekste të sakta që i lexojmë në librat e hadithit, mësojmë se në ditën e gjykimit, Zoti Fuqiplotë do të falë e mëshirojë edhe shumë prej atyre që ua ka mbuluar gjynahet në këtë botë. Nuk i ka koritur në këtë botë, nuk do i zbulojë as në jetën e përtejme!

Atëherë, kush jemi unë dhe ti, që të tregojmë me gisht dikë, duke ia privuar derën e madhe të pendimit e kthimit nga Zoti i Tij!?

Kush është ai, a ata, që shpesh i dëgjojmë teksa thonë, poshtë e përpjetë: “U bë edhe filani të hyjë në xhami”, a: “Paska shkuar edhe filani në haxh”, a: “Kur mbulohet edhe kjo, medet për hixhabin”, “Ka nisur të merret me fé edhe i biri (e bija) i/e filanit”, a..!?

Moskuptimi i duhur i fesë dhe mosangazhimi për të mësuar e thelluar në kuptimin e qëllimeve të fesë, nxjerr në pah sëmundje të ndryshme sociale, që kanë nevojë për shërim, në mënyrë që feja e fetarizmi të mos kthehen realisht në opium vrastar për jetën dhe shoqërinë!

(Nga dersi i sabahut, më 30 tetor 2019, në xhaminë e Parrucës)