Resulull-llahu (a.s.) dhe fëmijët në xhami…

Ka shumë rëndësi që fëmijët ta ndjejnë veten rehat e të vlerësuar në xhami! Ajo është Shtëpia e Zotit, dera e së cilës nuk i mbyllet askujt, drita e së cilës nuk i privohet askujt! Është vendi, ku fëmijët janë më të privilegjuarit, sidomos kur shoqërohen me prindër të pjekur, që e njohin mirë frymën e xhamisë dhe kufijtë e etikës së saj!

Xhamia është vendi, ku Resulull-llahu (a.s.) zbriti nga minberi për të marrë në krahë nipin e tij, për t’u rikthyer së bashku me të në minber, si hatibi më i mëshirshëm dhe gjyshi më i mirë i krejt njerëzimit!

Xhamia është vendi, ku Resulull-llahu (a.s.) zgjati sexhden, në një namaz me xhemat, sepse nipi i tij kishte hipur mbi shpinën e Gjyshit – Mëshirë e dhuruar, i cili shijonte së bashku me namazin dhe afrimin me Zotin e tij, kënaqësinë dhe lojën e pafajshme të një fëmije të lumtur në djepin e mirësisë!

Xhamia është vendi, ku Resulull-llahu (a.s.) shkurtoi namazin, sepse dëgjoi të qarat e një foshnje, e ëma e së cilës falej së bashku me xhematin, pas të Dërguarit të All-llahut! Hz. Enes ibn Malik (r.a.) na tregon se, Resulull-llahu (a.s.) ka thënë: “E filloj namazin dhe dua ta zgjas atë, kur dëgjoj të qarat e fëmijës, e shkurtoj, sepse e di dhembshurinë e nënës për të qarat e tij!”, siç e transmeton Imam Bukhariu.

Xhamia është vendi, ku Resulull-llahu (a.s.) mbante në prehër, në njërën anë vogëlushin Usama ibn Zejd dhe në tjetrin nipin e tij, Hasanin, të cilët i përqafonte dhe lutej: “All-llahumme ki mëshirë për këta të dy, sepse edhe unë kam mëshirë për ta!”, siç e transmeton Imam Bukhariu.

Xhamia është vendi, ku ndër të tjera mësojmë se, fëmijët janë amanet i shtrenjtë, bekim nga Zoti dhe se, edukimi i tyre i shëndoshë, është shërbimi më i mirë për të sotmen dhe të ardhmen tonë si shoqëri islame!

(Nga dersi i akshamit, më 2 nëntor 2019, në xhaminë e “Dy Vajzave”)