“Lavdi të Madhit Zot!.. – LAVDI!”…

Emocionet e kësaj nate nisën që në momentin e parë të mbërritjes përballë Xhamisë së Plumbit. Ka një sekret të madh ky vend. Ka një përshpirtje që s’e shpjegon dot; o e ndjen, o s’e ndjen…

Pjesëmarrja e madhe e të ftuarve, ajetet e Kur’anit që rrethonin atmosferën, duke i dhënë edhe perëndimit një dritë të paqtë, që buronte nga ajetet me: “Rabbena…”, e sollën edhe flladin e këtij akshami si eliksir shekullor malli…

Në kurbën e tyre të kësaj mbrëmjeje, emocionet dhe mendimet, nostalgjia dhe malli, u ulën këmbëturqisht dhe heshtën, sidomos kur në sfondet e mbrëmjes, mbështetur mbi muret e Xhamisë, u shfaq Hafiz Sabri Koçi…

Ai foli e foli, duke rishfaqur në kujtesën e regjistruar madhështinë e dhuntive hyjnore, me të cilat qe veshur profili i tij: elokuenca e natyrshme, urtësia e hollë, transparenca shpirtërore, kontrolli mbi emocionet dhe sikletet e atij tubimi historik të 16 nëntorit 1990, vetëbesimi dhe këshilla në mekamin e Prindit largpamës kundrejt krejt asaj turme në prag…

Për një moment, Hafizi thirri me krejt forcën e shpirtit të tij: “Lavdi të Madhit Zot!..”, si për të mposhtur frikërat e horizonteve pa ngjyrë e shije, pa dritë e rreze… Si për të mposhtur ngjyrën gri të realiteteve shqiptare të atyre ditëve pa bukë e ujë, pa dritë në fund të tunelit e pa shpresë… Si për të lajmëruar se shpresa dhe krenaria, drita dhe bardhësitë, uzdaja dhe myzhdet, ashku i zemrës dhe nostalgjia për pragun e shpirtit, e ka një sekret: kthimin nga Zoti, All-llahu, Krijuesi i universit, Poseduesi i gjithçkaje, i Vërteti që s’ka nevojë për gjë a njeri, të Cilit të gjithë i jemi QOLE..! Si për të thënë, mbi fjalën dhe nëntekstin e saj, se pa dalë kjo thirrje nga brendësitë e zemrës dhe thellësitë e shpirtit, asnjë rrugëtim ndërtues nuk do të gjejë mbarësi e dritë… (siç rezultoi në këto 26 vite të pas asaj thirrjeje të shtrenjtë…)

Por, emocionet u ndezën, aq sa m’u bë se edhe toka u ngazëllye me mall dhe u dridh si zemra e Mexhnunit, kur dikush nga turma iu përgjigj me të madhe Hafizit: “LAVDI!”…
Sepse, kur para një turme e hedh një farë, tamam si bujku në tokë dhe, dikush e pret me butësi e përkujdesje farën e Hakut, kjo do të thotë se ende ka shpresë…

Kjo mbrëmje na dhuroi shumë mirësi e përshpirtje, për të cilat kishim nevojë, sidomos në këtë stinë dhikresh, lutjesh e adhurimesh, bamirësishë e altruizmi në heshtje…

Mbi të gjitha, një fjali u lëshua në krahët e flladeve të prag jacisë së kësaj nate: “Lavdi të Madhit Zot!..”, për të mbërritur, kushedi se ku, në dyert e zemrave, që janë gati edhe sot t’i përgjigjen fuqishëm e pa ndrojtje: “LAVDI!”…

Sonte, edhe Hana u bë dëshmitare…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 qershor 2016