Lutu, mbështetur në prekjet e qeta të akshameve…

Çfarë vlere do të kishte malli, pa prekjet e mëshirës Tënde, që si rreze dielli depërtojnë në sipërfaqet e errësuara nga retë e ditëve të vërenjtura zymtësisht, nga devijimi në rrugën e Dashnisë Tënde?

Si do të ishte zemra, pa ëmbëlsinë e përmendjes së Emrit Tënd, që sa herë shfaqet në horizontet e saj, ajo (e lumja ajo) nis të përpëlitet e të dridhet nga kujtimet e së shkuarës.., asokohe, kur Emrat e Tu, bënin tavaf përreth saj, duke i dhënë jetë, si Qabe e Madhnueshme..?

Si do të ishte bota ime pa përkujtimin e Zotërive, dyert e të cilëve, sa herë hapen, nga kujtimi i tyre, era e miskut vërshon duke mbushur gjithësinë me parfumin e Besëlidhjes, teksa më merr për dore drejt përmendjes Tënde..?

Ah, era e miskut të duarve, që hapin dyert e zemrave me prekje shëruese, me besë virdesh e lutje akshamesh, para duarve të Madhnisë Tënde, o Paqtues i zemrave, o Falës i hutimit, o Udhëzues drejt Paqes së përhershme, që buron nga madhështia e emrit Tënd, Es-Selâm…

Ah, era e kujtimeve, që si fëmijë i përmalluar për erën e miskut, më merr për dore drejt Derës së madhe të dhikreve, nga drita e të cilëve, nata bëhet ditë e, pelerina e natës kthehet në vel të bardhë mirësie, që mbulon pamjet, që perde zemrës i bëhen…

Ah, malli (e lumja zemër për prekjet e tij), në netët e heshtura, që dëgjojnë zërin e Mësuesit, teksa lutet në qetësinë e bardhësisë së tij për gjithësinë, rrethuar nga butësia e përgjigjeve të pashfaqura: “Amin”…

Zot i gjithësisë, edhe pse gjuha është tharë nga mungesa e përmendjes së Emrit Tënd, kujtimi i faljes Tënde bëhet shpresë kthimi nga dyert e netëve me erë misku, që vjen nga horizontet e të Dashurve të Tu… Ata, që natës mbuluese i japin frymë ditësh me dritë të pastër nga Drita e Dashnisë Tënde, teksa të thërrasin në lutje bekimesh…

Zot i Madh, e si të mos shpresojë zemra në faljen Tënde, kur në rrahjet e saj, Emri i Madhnisë Tënde rrjedh si burim Gjallnie, që lan çdo papastërti vdekjesh…

O natë loti, që në heshtje rënkon hutimin e shkuar, lutu si zemër e penduar para duarve të Mbretit, që thërret përnatë me Madhështinë e dhuntive të Tij: “A kërkon kush falje që ta fal?”…

Lutu, mbështetur në prekjet e qeta të akshameve, lajmëtarëve besnikë të Dritës së zemrave, të veshura me virde bese, në pragun e lutjes së ezanit…

Lutu, se dera është hapur!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 5 prill 2021