Buhara – Lulja e bekuar e kësaj pranvere të shumëpritur…

Para ca ditësh, nëpërmjet rrjeteve sociale mësova për lajmin e gëzueshëm të çeljes së xhamisë së re në Sulgen të Zvicrës.

Çelja e saj (njësoj si lulet e para të pranverës), shënjon një gjurmë të re, shumë me vlerë në hartën e madhe të zhvillimeve të ymetit e mbi të gjitha, një sihariq të madh, që na gëzon pa masë, teksa dëshmojmë se një yll i ri ndriçues do të vezullojë për melekët e mëshirës, që nga lartësitë e pozitës së tyre do të regjistrojnë të bekuar edhe këtë sinjal të ri drite nga toka e bijve të Ademit!

Atë natë të 16 shtatorit 2018, kur vëllazëria u mblodhën në atë tubim historik e të paharrueshëm të bamirësisë së dëshmuar shqiptare, isha më i lumtur se kurrë.

Isha i bindur se ajo rrugë e nisur do të sosej shumë shpejt, me mbarësinë dhe bekimet e Zotit të gjithësisë, që nëpërmjet Lajmëtarit të Tij besnik na tregoi se: “Kur Allahu do diçka, ia përgatit shkaqet!”. Dhe shkaqet e kësaj vatre të re të Dritës dhe Hidajes u gatuan në më të mirën formë nga duart e burrave të urtë e zemërbardhë, besnikëve të traditës e gjurmëve të dijes e dijetarëve…

U emocionova pa masë, nuk e fsheh dot, kur dëgjova ezanin e sabahut të parë dhe ardhjen masive të vëllezërve të mi të zemrës, për ta përjetuar çastin e madh e fatlum të hapjes së dyerve të “Buharasë” së madhe!

I shihja në përulësinë e tyre para duarve të Krijuesit të Madhëruar, si shtegtarët e heshtur që rrugëtojnë drejt shtigjeve të reja të Jetës me dinjitet e krenari; në lutje e dhikër, në namaz e harmoni, duke përjetuar momente të paharrueshme për secilin, të lumët ata!

Zvicra sot, falë edhe kontributit të madh e të pashoq të shqiptarëve të trevave tona etnike, vazhdon të dëshmohet përherë e më shumë si një shembull i mrekullueshëm i zhvillimit të urave lidhëse që mbajnë të afërt mendimin e ekuilibruar, besimin e gdhendur në gene dhe shfaqjen e qytetëruar të muslimanëve me perëndimin në krejt dilemat legjitime rreth fetarizmit dhe vetë Islamit, që prej kohësh prezantohet shëmtueshëm e jo origjinal nga duar të padukshme e shumë edhe të dukshme, që kanë devijuar rrugën e kanë përzier botëkuptimet e vizionet duke i dhënë shkas të justifikueshëm kujtdo që na shikon me dyshim..!?

Qendrat islame të shqiptarëve, si ajo në Lozanë, në Gjenevë, në Rebstein, në Wil, në Wintenthur, në St. Gallen, në Salmsach, etj., ku shërbejnë me shumë përkushtim imamë e thirrës islamë të kualifikuar, të pajisur me urtësi, janë pa dyshim garanci e zhvillimit të mirëpritur nga të gjithë, të aktivitetit islam, që udhëzon drejt moralit, dijes, harmonisë, paqes sociale, dinjitetit, profesionalizmit, dashamirësisë e ndërtimit!

Në këtë listë vlerash të padiskutueshme e të pamohueshme fetare, kombëtare e ndërkombëtare, një vend të merituar ka tashmë edhe Lulja e re e kësaj pranvere të shumëpritur të zemrave e shpirtrave tanë: Buhara!

Dhe, sa bukur tingëllon ai ajet i shenjtë kuranor, i gdhendur me dritë në hyrje të xhamisë së re: “Hyni në paqe, të sigurtë!”, si për t’i folur pa harfe kujtdo në dilemë: “Eja, mos ngurro, paqe e mirësi do të gjesh në këtë oaz! Kushdo qofsh, eja, i sigurtë e në paqen e dhuruar!”.

Vëllezërve të shtrenjtë, të dashtunit Hoxhë Ahmed Mehmedi dhe krejt kontribuesve, bashkëpunëtorëve, pjesëmarrësve dhe frekuentuesve, fëmijëve të lumtur të mektebit dhe familjeve të tyre ia përhajroj me shumë gëzim!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 5 prill 2021