Meditime (59)

Mos mallkoni, ndihmoni të sprovuarit!

Mos mallkoni, ndihmoni të sprovuarit!

Po kuvendonim sot, në një tryezë imamësh të nderuar rreth urtësisë së thirrjes së njerëzve drejt vlerave të mesazhit islam, sidomos në raport me ata që duhet të kontaktojmë jashtë xhamisë.

Biseda u pasurua me shembuj të shumtë, njëri më i vlefshëm se tjetri. Ishim në një mendje se, mbi çdo gjë, ajo që vlen në komunikim me tjetrin, është padyshim ndjesia e mëshirës dhe dëshira për ta ftuar të sprovuarin drejt “derës së Zotit”!

Më erdhën në hatër lexime të shkuara dhe ngjarje reale, me të cilat jam përballur gjatë tre dekadave të fundit.

Njëri prej bashkëbiseduesve të nderuar solli në vëmendje rastin e një të piri, që kishte hyrë në xhami dhe besimtarët ishin kujdesur për të me shumë dashamirësi. U kishte thënë: “Pasha Allahun, unë e dua Allahun!”.

Ndërkohë, një tjetër rast i mrekullueshëm ishte ai, që e tregoi me shumë emocion një tjetër prej bashkëbiseduesve të kësaj tryeze vlerash.

Tregoi se një ditë të xhuma, kur xhamia kishte qenë e mbushur plot me njerëz, kishte hyrë një i pirë dhe dikush nga të pranishmit i ishte drejtuar me fjalë të rënda!

Ndërkohë imami ishte ngritur me të shpejtë dhe e kishte marrë në një qoshk, duke u përpjekur ta qetësonte situatën. I piri i ishte drejtuar: “Të jap fjalën se do të vi për bajram!”, dhe.., ditën e bajramit, imami ishte bafasuar me të njëjtin person në rresht të parë, që i drejtohej duke i thënë: “A ta dhashë fjalën se do të vij në xhami!”.

Në fakt, përvojat e spikatura të imamëve më kthyen shumë shekuj pas në kohë, kur para Resulullahut (paqja qoftë mbi të) kishin sjellë një të pirë e, kur dikush prej sahabëve kishte thënë: “E mallkoftë Allahu…”, pejgamberi i mëshirës kishte thënë: “Mos e mallko, sepse ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”.

Kjo është meseleja! Të falim mëshirë e dashni, duke u përpjekur për ta shpëtuar tjetrin, jo të nxitojmë ta fundosim atë!

Ai që ka rënë në gjynahe, nuk ka nevojë të shkojë më thellë me mallkimet e askujt; ato as e shpëtojnë, as e sjellin në vete! Nuk ka nevojë as për paragjykimin e askujt, as për përfoljen a talljen e tij, porse i nevojitet dikush që t’i japë një dorë për të dalë nga bataku dhe gjendja e amullt, për të kapërcyer pragun e për të shijuar dritën e udhëzimit!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 5 shtator 2021